Fjalë Kyçe

Në Zelandën e Re mund të blihen armë në numër të pakufizuar

Në Zelandën e Re mund të blihen armë në numër të pakufizuar

Sulmi masiv në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re e ka hapur debatin lidhur me ligjet për armëmbajtje. Ish-kryeministrja e këtij shteti, Helen Clark, ka thënë se do të ishte e befasuar nëse parlamenti nuk miraton ligje për kontroll më të rreptë të armëve. Por cilat janë ligjet aktuale për armëmbajtje në Zelandë të Re?

Mosha më e vogël e lejuar për armëmbajtje në Zelandën e Re është mosha 16-vjeçare për armët e vogla, ndërsa mosha 18-vjeçare për armët e gjata. Me fjalë të tjera, secili person që e ka arritur këtë moshë dhe që është i shëndoshë fizikisht dhe mendërisht mund të posedojë armë.

Të gjithë personat që mbajnë armë duhet të pajisen me leje, por ata nuk janë të detyruar t’i regjistrojnë armët që i posedojnë. Zelanda e Re është në mesin e pak shteteve që e lejojnë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, një person që ka leje për një armë praktikisht mund të mbajë edhe shumë armë të tjera.

Për ta marrë lejen për armëmbajtje, aplikuesit i nënshtrohen një kontrolli për të kaluarën kriminale dhe historinë e gjendjes shëndetësore. Këtu merren parasysh shëndeti mendor, varësia ndaj substancave të ndryshme dhe dhuna familjare. Kur një person pajiset me leje, ai ose ajo ka të drejtë të blejë numër të pakufizuar të armëve.

Për shkak të këtij rregulli, policia thotë se nuk dihet numri i saktë i armëve. Sidoqoftë, në Zelandën e re janë lëshuar 246 mijë 952 leje aktive për armë deri në qershor të vitit 2018.

Gjatë vitit 2017, në këtë shtet kanë aplikuar 43 mijë 509 persona për të marrë leje për armë, ndërsa vetëm 188 njerëzve u është refuzuar kjo kërkesë.

Para sulmit në xhami, sulmi më i rëndë masiv në Zelandën e re ishte regjistruar në vitin 1990, kur në Aramoana ishin vrarë 13 njerëz, shkruan “BBC”.