Fjalë Kyçe

Pas skandalit, bie qeveria në Austri

Pas skandalit, bie qeveria në Austri

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka deklaruar këtë të shtune se vendi do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme sa më shpejtë që është e mundur. Kjo vjen pas dorëheqjes së zv.kancelarit Heinz-Christian Strache, i cili u përfshi në një skandal korrupsioni me rusët.

“Mjaft është mjaft” tha Kurz sot gjatë konferencës për media, duke shtuar se ai nuk do të këmbëngulë që partia e zv.kancelarit të qëndrojë në koalicion, për shkak se ata ishin përfshirë disa herë në skandale të ndryshme, raporton Euronews, transmeton Gazeta Express.

Sipas dy mediave prestigjioze gjermane, në korrikun e vitit 2017, Heinz-Christian Strache, që është kryetar i partisë së djathtë populliste të Austrisë, FPO, dhe kolegu i tij partiak Johann Gudenus, gjatë takimit në Ibiza me rusen i kishin premtuar asaj tenderë, nëse do të financonte fushatën e tyre.

Sipas incizimeve, që kanë siguruar revista “Der Spiegel” e Hamburgut dhe e përditshmja “Süddeutsche Zeitung” e Münchenit, thuhet se rusja, e cila duket se është gjysmë lakuriq, i kishte thënë dy djathtistëve se do të investonte një çerek miliardë euro në Austri. Por, gazetarja që e ka shkruar raportin thotë se rusja ishte një milionere e rrejshme.

Lideri i partisë së ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, përmes konferencës për media shtoi se deri sa të mbahen zgjedhjet, ata do ta japin emrin për zv.kancelar, në mënyrë që të mos krijohet krizë politike.