Fjalë Kyçe

Publikohen dosjet e Putinit, tregohet se çfarë spiuni ishte ai derisa ishte pjesë e KGB-së

Publikohen dosjet e Putinit, tregohet se çfarë spiuni ishte ai derisa ishte pjesë e KGB-së

Një profil i KGB-së që i përket tanimë presidentit rus Vladimir Putin është lëshuar për publikun në një ekspozitë të dokumenteve të deklasifikuara sovjetike, në arkivin qendror shtetëror në Shën Petersburg.

Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, profili me gjashtë paragrafë, botuar nga kanali rus i lajmeve 78, ka nxjerrë detaje mbi ‘autoritetin e merituar që ai gëzonte mes kolegëve’.

Sipas agjencisë së lajmeve shtetërore ruse TASS, ekspozita në Shën Petersburg, i është kushtuar ’90 personaliteteve dhe arritjeve të tyre në politikë, çështje ushtarake, shkencë, kulturë dhe art’.

Profili i ri i deklasifikuar i KGB-së thotë se Vladimir Putinit i pëlqente të luajë sport në kohën e tij të lirë

 

“Shoku V.V. Putin vazhdimisht përmirëson standardet e tij ideologjike dhe politike. Ai është angazhuar aktivisht në rrjetin e arsimit të partisë”, citohet në profilin e tij. “Ai vazhdimisht përmirëson aftësitë e tij profesionale”.

Po sipas DailyMail, ekspozita gjithashtu përmban forma të plotësuara nga presidenti rus, i cili në atë kohë ishte anëtar i Lidhjes Komuniste të të Rinjve All-Union.

Vladimir Putin, 67 vjeç, u bë president i Rusisë në vitin 2000, pasi më parë drejtonte FSB-në e Federatës Ruse, pasardhës e KGB-së Sovjetike.

Putini shërbeu në agjencinë spiune të BRSS për 16 vjet, midis 1975 dhe 1991, pasi mbaroi shkollën në KGB të Moskës.

Ai u ngrit në gradën e nënkolonelit përpara se të jepte dorëheqjen në 1991 për të hyrë në politikë në Shën Petersburg.

Dokumenti i sapohapur nxjerr më shumë dritë mbi të kaluarën e presidentit rus, pas zbulimit të kartës së tij të identifikimit të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, botuar nga kanali gjerman i lajmeve BILD në fund të vitit të kaluar.

Presidenti rus Vladimir Putin, pozon për një fotografi me prindërit e tij Maria dhe Vladimir Putin në 1985, pak para nisjes së tij për në Gjermaninë Lindore.

 

Putin ishte i vendosur në Republikën Demokratike gjermane (Gjermania Lindore) në 1985, duke punuar në qytetin e Dresdenit deri në vitin 1990, ku jetoi me gruan e tij të divorcuar tani Lyudmila Putina. Fëmija i tyre i dytë lindi atje në 1986.

Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, më i njohur si Stasi, ishte shërbimi zyrtar i sigurimit të Gjermanisë Lindore dhe bashkëpunonte ngushtë me KGB.

Stasi është përshkruar si një nga inteligjencat më të efektshme dhe shtypëse dhe agjencitë e fshehta të policisë që ka ekzistuar ndonjëherë.

Presidenti rus më parë i ka dhënë “kredit” të kaluarës së tij në KGB për përgatitjen e tij për presidencën.

Si një agjenci inteligjence, shkruan DailyMail, KGB ishte famëkeqe për atentatet dhe fushatat armiqësore të dezinformimit, një traditë që Putini ka vazhduar si president i Federatës Ruse.

Kështu, vitin e kaluar, presidenti rus u akuzua për aprovimin e përpjekjes për të vrarë ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e Yulia në Salisbury.