Fjalë Kyçe

Spanja goditet nga vërshimet, humb jetë një person

Spanja goditet nga vërshimet, humb jetë një person

Një trup i pajetë i një burri është gjetur në Spanjë pasi një lumë doli nga shtrati i vet.

Këtë e shkaktuan reshjet e mëdha të shiut në rajonin verior spanjoll të Navarras gjatë natës së të hënës.

Lajmin e bënë të ditur zyrtarët e qeverisë lokale.

Në disa pamje të publikuara shihet uji i rrëmbyeshëm i lumit “Cidacos”, niveli i të cilit për një kohë të shkurtër shkoi nga 11 centimetra në mbi katër metra, duke dalë në rrugë dhe duke marrë me vete gjithçka që ndodhej në to, shkruan “Reuters”.

Stuhia që e goditi rajonin e Navarras i zuri në befasi autoritetet lokale pasi në këtë vend reshjet e shiut ishin katër herë më të mëdha se parashikimi zyrtar. Për më tepër, stuhia ndodhi vetëm një javë pas temperaturave shumë të larta që i shkaktuan dy vdekje në Spanjë.

Autoritetet lokale të Navarras i këshilluan njerëzit që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre gjatë të martës pasi reshjet e mëdha të shiut po vazhdojnë dhe uji i ka marrë edhe disa pjesë të autostradave.