Fjalë Kyçe

Terroristët e IS-it të varur nga gratë

Terroristët e IS-it të varur nga gratë

Pas humbjeve në Siri, milicët xhihadistë kërkojnë gjithnjë e më shumë mbështetjen e grave si në luftën në front, edhe për atentate në shtetet e perëndimit.

Numri i terroristeve femra do rritet, paralajmëron Europoli.

Vitin e kaluar 15% e ish-luftëtarëve të organizatës terroriste „Shteti Islamik” që u dënuan në Bashkimin Europian kanë qenë femra. Tendenca është në rritje. Në këtë konkluzion arrin një studim i autoritetit policor europian, Europol. „Femrat u bënë për IS-in të pazëvendësueshme si në rajonet e luftës ashtu edhe në perëndim”, sqaroi drejtoresha e Europol-it, Catherine De Bolle në prezantimin e studimit në Hagë. Organizata terroriste e paraqet si „detyrim moral” të grave që të marrin pjesë në xhihad.

Që nga tërheqja gjithnjë e më e madhe e të ashtuquajturit „Shteti Islamik” nga Siria nga marsi i vitit të kalaur, u thirrën për luftë gjithnjë e më shumë femra. Luftëtaret femra madje tani brohoriten, tha De Bolle. Megjithatë, theksojnë ekspertët e Europolit, ideologjia e milicëve xhihadistë nuk ka ndryshuar.

Sipas saj, detyra parësore e gruas është të mbështesë bashkëshortin në shtëpi, të lindë fëmijë dhe t’i rrisë në bazë të ideologjisë së IS-it.

IS dallon nga organizata të tjera islamiste

Për studimin janë përdorur burime si faqe propagandistike të terroristëve në internet, që kanë si qëllim të shpallur ngritjen e kalifatit. Për këtë qëllim pjesëmarrja e grave është e pazëvendësueshme, thonë ekspertët. Gratë do të luajnë një rol më të madh jo vetëm për të qenë pjesë e xhihadit, por ato do të jenë më aktive edhe në media, në shërbimin shëndetësor dhe arsim. Ky qëndrim e dallon IS-in dukshëm nga organizata të tjera radikale islamiste, si talibanët në Afganistan apo Boko Haram që është aktiv në Afrikë. Arsyet, pse pikërisht femrat nga perëndimi iu bashkangjitën IS-it nuk janë shqyrtuar në studim.

Europol nuk është shprehur, për atë, se si duhet të veprojnë vendet anëtare të BE me gratë, që duan të kthehen nga rajonet e luftës në vendlindjet e tyre në Europë. „Këto raste duhet të vlerësohen individualisht”, u shpreh drejtoresha e Europolit.

Fund miteve për femrat e IS-it

Në të njëjtën kohë ky studim u jep fund miteve. Femrat e IS-it nuk mund të pretendojnë më, se nuk kanë pasur dijeni për terrorin dhe qëllimet e organizatës së tyre. Përkundrazi: IS është i hapur plotësisht në propagandën që bën. Jeta në Kalifat prezantohet me të gjithë ashpërsinë e saj. Përveç kësaj gratë e luftëtarëve të IS-it nuk mund të pretendojnë më, se kanë qenë vetëm në shtëpi apo janë kujdesur për fëmijët. Myslimanet në rekrutimet e bëra online janë shprehur hapur për detyrimin individual për xhihad. „Si shpërblim për këtë premtohet një rrugë për në parajsë”, është shprehur drejtoresha e Europol-it.