Fjalë Kyçe

Trump nuk ndalet, sulmon Facebook, Twitter dhe Google

Trump nuk ndalet, sulmon Facebook, Twitter dhe Google

Të dhënat nga Facebooku dhe raportet e transparencës politike të kompanisë Google, tregojnë se fushata për rizgjedhjen e presidentit Trump ka harxhuar pothuajse dy herë më shumë fonde sesa të gjithë kandidatët demokratë për reklamat në Facebook dhe Google. Por gjithsesi Presidenti Donald Trump ka akuzuar gjigantët socialë, si Facebook, Google dhe Twitter, se janë të njëanshëm.
Trump akuzoi platformat sociale, shfaqjet televizive dhe mediat e lajmeve në përgjithësi se anojnë nga “Demokratët e Radikalëve të Majtë” dhe tha se përdoruesit janë të vetëdijshëm për këtë.
Në përgjigjen dhënë një gazetari në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti Trump tha se platformat digjitale kanë tendencë të përjashtojnë apo të ndrydhin pikëpamjet republikane dhe konservatore, ndaj shtoi që kjo çështje duhet të shqyrtohet me vëmendje.
“Këto po ndodhin. Llogari të caktuara po bllokohen. Njerëzit nuk po lejohen të shprehen. Keni dëgjuar ankesa të ngjashme dhe duket se nëse janë konservatorë, nëse janë republikanë, nëse i përkasin një grupi të caktuar, ka diskriminim dhe diskriminim të madh. E shoh këtë shumë qartë në Twitter dhe Facebook, ku jam aktiv si edhe të tjerët. Njerëzit janë të zgjuar, ata e kuptojnë. E provojnë këtë eksperiencë dhe në fund, marrin vendimin e duhur. Është një situatë shumë e rrezikshme. Pra jam dakord me idenë se kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes”, tha presidenti.
Ai gjithashtu ka mbështetur ligjvënësin republikan nga Kalifornia Devin Nunez, i cili ngriti të hënën një padi kundër Twitter-it duke pretenduar se i kishin shkaktuar një dëm prej të paktën 250 milionë dollarësh.
Por jo vetëm kaq, të martën, drejtori për mediat sociale i zotit Trump, Dan Scavino, postoi i irrituar një mesazh në Facebook, me pyetjen se përse rrjeti kishte bllokuar komentet në llogarinë e tij. Gjigandi i medias sociale kërkoi falje duke thënë se algoritmi i Facebook-ut kufizon numrin e postimeve “të njëjta, të përsëritura” në një llogari të vetme në një periudhë të shkurtër kohore, në përpjekje për të bllokuar spamin.