Fjalë Kyçe

Ja çka pritet të përcaktojë Ligji për Qeverinë

Ja çka pritet të përcaktojë Ligji për Qeverinë

Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës vazhdimisht ka qenë dhe mbetet temë debati. Për krijimin e hapësirës dhe për t’i tejkaluar pengesat për pjesëmarrjen e grave në institucione janë krijuar kuota, të cilat janë paraparë edhe në kuadër të kornizave ligjore.

Një kuotë e tillë e përfaqësimit të grave do të parashihet edhe në Ligjin për Qeverinë, i cili është në përgatitje e sipër.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e projektligjit, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, thotë për Radion Evropa e Lirë se kuota do të ketë, porse ende nuk është vendosur për shkak se projektligji është në diskutim me grupet punuese.

“Ligji për Qeverinë është në proces e sipër të draftimit. Ky ligj parasheh kuotën gjinore, jemi në diskutim e sipër për tri çështjet kryesore, së pari për tavanin e ministrive, numrin e zëvendëskryeministrave dhe ministrave dhe po ashtu për kuotën gjinore. Do të ketë kuotë gjinore, por nuk ka asgjë finale. Ky është vendim i Qeverisë, nuk është vendim i grupit punues. Grupi punues është duke e trajtuar këtë proces, por po, do të ketë kuotë gjinore” thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Komisioni për hartimin e Ligjit për Qeverinë, ka konfirmuar se tashmë është në përfundim e sipër, kurse planifikimet janë që në fund të muajit maj, të kalojë në Qeveri projektligji të kalojë procedurat e nevojshme në Kuvend.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), për herë të parë aplikoi sistemin e kuotave gjinore në Kosovë në tetor të vitit 2000. Në bazë të një rregullore kërkonte së paku 30 për qind të kandidateve gra në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.

Kurse, në Ligjin për barazi gjinore, thuhet se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini”.

​Pjesëmarrja e gruas në secilin sektor, qoftë publik apo privat, duhet të shihet si e natyrshme duke qenë e barabartë me gjininë e kundërt, thonë zyrtarë nga Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.

Majlindë Sinani- Lulaj zëvendëse e Avokatit të Popullit, për Radion Evropa e Lirë thotë se Ligji për Qeverinë mund të parashohë çfarëdo kuote, por në kuptimin e përfaqësimit gjinor nuk mund të limitojë atë që ka përcaktuar paraprakisht Ligji për barazi gjinore.

“Ky ligj me të drejtë vendos përqindjen e barabartë në kuptimin e përfaqësimit edhe për burrat edhe për gratë. Në këtë kuptim, për çfarëdo konflikti eventual mes dy ligjeve do të merret parasysh ligjërisht Ligji për barazi gjinore”, thotë Lulaj.

Edhe përfaqësuese të shoqërisë civile theksojnë se Ligji për Qeverinë duhet të harmonizohet me Ligjin për barazi gjinore. Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë se kuota e përfshirjes së grave në projektligjin për Qeverinë, duhet të jetë 50 për qind.

“Sepse edhe kuota që është në Parlamentin e Kosovës ka sjell progres, ka sjell një imazh të mirë që gratë duhet të jenë në proporcion me popullsinë e përgjithshme, që 50 për qind janë të gjinisë femërore. Por, ne themi se edhe në Qeveri, edhe në Kuvend, dhe në të gjitha institucionet duhet të jenë edhe numrat edhe kualiteti dhe kjo është e mundur, sepse tashme në Kosovë vajzat përfundojnë arsimin e nivelit të lartë dhe sipas hulumtimeve, janë më të përgjegjshme në punën e tyre”, thotë Demolli.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se janë vetë kosovarët ata që duhet të ndryshojnë çështjen e përfshirjes së grave në proceset politike dhe shoqërore.

“Sot, Kosova nuk është e plotë. Në fakt, ajo është e ndarë, sepse 50 për qind të popullatës së saj vazhdimisht pengohet në aspektin politik, ekonomik e social. E nëse nuk mendoni se ky nuk është problem i madh për të ardhmen e Kosovës, atëherë nuk i keni kushtuar vëmendje kësaj çështjeje. Sepse kur gratë janë në tryezë – kur gratë janë pjesë e procesit vendimmarrës – rezultatet janë pozitive për tërë vendin”, ka thënë Kosnett gjatë një deklarimi në kuadër të “Javës së gruas”, që organizohet në Kosovë nga Instituti Kombëtar Demokratik.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës nga 120 deputetë, 36 janë nga gjinia femërore, nga 21 ministri në Qeverinë e Kosovës, vetëm dy nga to udhëhiqen nga gratë, kurse nga rreth 80 zëvendësministra, vetëm pesë janë gra. Ndërkaq, nga 38 komunat e Kosovës asnjë nuk udhëhiqet nga gratë.

Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është nga Atifete Jahjaga e cila ishte presidente e vendit nga viti 2011 deri në vitin 2016.