Fjalë Kyçe

Kosova paralajmëron reciprocitet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së V.

Kosova paralajmëron reciprocitet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së V.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar vendosjen e masave mbrojtëse për produktet e Kosovës në raport me shtetet tjera të rajonit, të cilat janë anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, të njohur me shkurtesën CEFTA.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, ka paralajmëruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dy shtete ku prodhuesit kosovarë, thuhet se po përballen me barriera tarifore dhe jotarifore, se do të zbatohen masa mbrojtëse nëse këto barriera nuk hiqen.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se Ekzekutivi i vendit këtë problem duhet ta zgjidhë përmes mekanizmit të CEFTA-s.
Edhe pse problemet e prodhuesve kosovarë me këto shtete, theksohet se janë evidente për një kohë të gjatë, ata konsiderojnë se në rast të mosarritjes së ndonjë zgjidhjeje përmes CEFTA-s, vetëm atëherë duhet të vendoset masa e reciprocitetit, por jo edhe taksa doganore, e cila ishte përmendur nga Ekzekutivi.

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, duke përmendur barrierat tregtare mes Kosovës dhe këtyre dy shteteve, thotë se në mungesë të mekanizmave të CEFTA-s për t’i zgjidhur problemet me shtetet tjera anëtare, instrumenti i fundit mbetet reciprociteti tregtar.

“Me Maqedoninë e Veriut problemet kanë qenë me kontrollin e cilësisë së disa produkteve, disa teste, rezultate që shpeshherë nuk pranohen. Rasti i fundit është moslejimi i eksportit të peshkut. Ndërsa, me Shqipërinë, numri i barrierave është shumë i madh, deri tek ajo që është gati e pamundur që kompanitë tona të bëjnë biznes me shtetin e Shqipërisë. Kështu që vendosja e masave reciproke funksionon më mirë, pasi kjo është praktikë në të gjitha vendet tjera”, thotë Rukiqi.

Edhe eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, thotë se problemet aktuale të bizneseve të Kosovës me këto shtete, sidomos me Shqipërinë, e vështirësojnë apo e bëjnë gati të pamundur bashkëpunimin tregtar ekonomik në mes dy vendeve.

Ai thotë se Qeveria nuk duhet të marrë vendim për ndonjë taksë të ngjashëm sikurse me rastin e masave ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilave u ka vënë tarifën doganore 100 për qind në të gjitha mallrat që eksportojnë drejt Kosovës.

“Në fakt, nëse kjo situatë vazhdon tutje, unë besoj se Qeveria e Kosovës duhet të vendos masë të reciprocitetit. Nëse një vend nuk e njeh origjinën e mallit, nuk duhet as Kosova t’ia njoh. Nëse një vend nuk ë njeh tabelat e Kosovës, nuk duhet as Kosova t’ia njoh asaj”.

“Në fakt, ne, nuk duhet ta quajmë atë taksë për arsye se në opinionin publik ndërkombëtar dalim keq si një shtet që përdor masa mbrojtëse ndaj vendeve tjera, përderisa me Kushtetutë jemi të deklaruar si ekonomi e tregut të hapur. Në fakt, çdo veprim që ndërmarrim si shtet, duhet të jetë masë reciprocitet dhe asnjëherë mos të quajmë si taksë, tarifë ose ndonjë barrierë tjetër tarifore“, vlerëson Gashi.

Më herët edhe përfaqësues të prodhueseve në Kosovë kanë pohuar se autoritetet shqiptare po i pengojnë bizneset nga Kosova që të jenë më të pranishme në tregun e Shqipërisë.

Prodhuesve nga Kosova, sipas tyre, po iu paraqiten barriera tarifore dhe jotarifore, si rasti i akcizës së birrës, pastaj procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera, që sipas tyre, po dëmtojnë konkurrueshmrinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.

Në anën tjetër, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë të mërkurën se ka paralajmëruar vendet tjera anëtare të CEFTA-s,se do t propozojë masa tjera shtesë për të gjitha vendet anëtare që shkelin marrëveshjen e CEFTA-s, pasi siç, ka thënë ai, ”detyrë dhe përgjegjësi e Qeverisë është fuqizimi i prodhimit vendor“.
Ndryshe, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, të cilat kanë për qëllim lehtësimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike. Liderët në Kosovë dhe Shqipëri në vazhdimësi janë deklaruar për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe eliminimit të të gjitha barrierave.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë çdo vit i mbajnë edhe mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë, por që të gjitha këto, sipas përfaqësuesve të bizneseve, mbesin vetëm në letër.