Fjalë Kyçe

Limaj dhe Shala të kënaqur me prodhimet “Made in Kosova”

Limaj dhe Shala të kënaqur me prodhimet “Made in Kosova”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kanë vizituar fabrikën për prodhimin e veshjeve “TexCo”, në Shkabaj të Prishtinës.
Ministri Shala ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’iu dalë në ndihmë prodhuesve vendore në rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe aftësimit profesional.

“Bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj vizituam kompaninë ‘TexCo’, e cila prodhimet e saj i eksporton në shtetet e Bashkimit Evropian, e që këto produkte shiten me etiketën Republika e Kosovës. Ne, si qeveri e Kosovës, jemi të përkushtuar t’iu dalim në ndihmë bizneseve me aftësimin e punëtorëve që të jenë sa më të konkurrueshëm. Është kënaqësi që 90 për qind të punëtorëve janë femra dhe të rinjtë tanë po konsiderohen se e mësojnë shumë shpejt punën”, ka thënë ministri Shala.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Limaj është ndarë i kënaqur me punën e kësaj fabrike.
“Krejt ky prodhim që bëhet në këtë fabrikë është për eksport dhe kjo tregon se me një angazhim të përbashkët dhe me krijimin e klimës për investime si dhe me mbështetjen që duhet t’i jepet biznesit mundësitë për zhvillim janë të mëdha në vendin tonë. Janë dhjetëra fabrika në Kosovë të cilat po depërtojnë në tregjet botërore”, ka thënë Limaj.

Ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do të mbështesë me politikat e saj fiskale duke krijuar sa më shumë lehtësira dhe mundësi për investitorët, në mënyrë që të krijohen mundësi për punësime të më shumë njerëzve.

Edhe pronari i kësaj fabrike, Yusuf Eldelekiloglu është ndarë i kënaqur me punën. Ai ka thënë se brenda një periudhe të shkurtër synojmë ta dyfishojnë numrin e punëtorëve.