Fjalë Kyçe

Në Kosovë, regjistrohen 9 mijë e 805 ndërmarrje të reja

Në Kosovë, regjistrohen 9 mijë e 805 ndërmarrje të reja

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se tregues i rëndësishëm i zhvillimeve në sektorin real është edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara.

“Për dallim nga viti 2017 që ishte karakterizuar numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara, në vitin 2018 janë regjistruar 9,805 ndërmarrje të reja apo 6.3 përqind më shumë krahasuar me vitin 2017”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.

Sipas BQk-së edhe numri i ndërmarrjeve të mbyllura ishte më i vogël, 1,426 sosh apo 12.1 përqind më pak krahasuar me vitin 2017.

“Vetëm në TM4 2018 janë regjistruar 2,401 ndërmarrje të reja apo 25.0 përqind më shumë krahasuar me TM4 2017 ndërsa janë mbyllur 444 ndërmarrje apo 2.8 përqind më shumë krahasuar me TM4 2017“, thuhet në raportin e BQK-së.

Sipas BQK-së numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 2,525 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i prodhimit me 1,109 ndërmarrje, hotelerisë me 988 ndërmarrje dhe ndërtimtarisë me 959 ndërmarrje.

“Krahasuar me vitin 2017, në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara. Në sektorin e prodhimit janë regjistruar 219 ndërmarrje më shumë, në sektorin e ndërtimit 120 ndërmarrje më shumë, në sektorin e tregtisë 63 ndërmarrje më shumë, etj. Ndërsa, sektorët që shënuan numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i bujqësisë (196 ndërmarrje më pak), transportit (38 ndërmarrje më pak), aktiviteteve financiare (26 ndërmarrje më pak), etj”, thuhet në raport.