Fjalë Kyçe

Punëdhënësi më i madh në Kosovë mbetet sektori privat

Punëdhënësi më i madh në Kosovë mbetet sektori privat

Aleanca Kosovare e Bizneseve sot në Parlamentin e Kosovës, si themeluese dhe anëtare e Zyrës së Komunitetit të Biznesit ne Kuvend, prezantoi trendin e ndërmarrësisë dhe të punës në periudhën 2000-2018. Në këtë konferencë të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri Financave Bedri Hamza dhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe përfaqësues të Bizneseve dhe Odave të ndryshme që veprojnë në Kosovë.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini tha se që nga viti 2000 e këndej është pasqyruar një trend i ngadalshëm i zhvillimit ekonomik me të ardhura të ulëta mesatare dhe me një rritje ekonomike rreth 3% mesatarisht në nivel vjetor. që ka rezultuar se është e pamjaftueshme. Gjatë kësaj periudhe punësimi i përgjithshëm në sektorin privat dhe publik është rreth 350.000 kontributdhënës e kryesisht punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat me mbi 275.000 punëtorë në të gjithë sektorët.

Mesatarisht nga ajo kohë në Kosovë janë hapur mbi 8.000 biznese dhe janë mbyll 20% ne nivel vjetor, por punësimi asnjëherë nuk ka mund të rritet më shumë se 12.000 të punësuar mesatarisht në nivel vjetor, ndërsa dihet se mbi 25.000 të rinj dalin në treg të punës për çdo vit.

AKB paraqiti edhe trendin e remitancave për periudhën e njëjtë. Sipas raportit del se në vit mesatarisht në Kosovë nga diaspora vinë rreth 620 milionë euro, kurse viteve te fundit ka një normë në rritje.

Kryesisht 60% e tyre shkojnë në blerje të patundshmërisë. Kosova mbetet i vetmi në regjion që paga në sektorin publik është me e lartë se në sektorin privat, kurse ka një pagë minimale më të ulët në regjion me 130-170 euro, sipas kriterit të moshës.

Jemi në prag të sezonit pranveror dhe tregu i punës është duke u hapur dhe mundësit për punësime të reja janë më të larta, ku rreth 20 % pritet të punësohen në ndërtimtari, rreth 17% ne industri përpunuese dhe bujqësi.

Gjatë kësaj periudhe në tregun e punës në sektorin privat rreth 79 % janë me kontratë pune, rreth 17% nuk kanë kontrata ose kanë kontrata gojore. Tregu i punës do të mbetet si alternativë e vetmja dhe më e lehta për të siguruar një vend pune, krahas kërkesave që vinë nga Perëndimi.

Kostoja mesatare e punës në sektorin privat në Kosovë është 505 euro

Sfida e zhvillimit ekonomik në Kosovë mbeten politikat fiskale të cilat duhet të vazhdojnë me reforma, subvencionimi i cili duhet të jetë në rritje, norma e interesit bankar më e larta në regjion, energjia elektrike – mungesa dhe kostoja e shtrenjtë e saj, si dhe informaliteti dhe konkurrenca jo e drejtë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u zotua para përfaqësuesve të bizneseve se do të bëjë çmos për të eliminuar të gjitha pengesat të cilat janë sfidë për sektorin privat dhe do t’i ftojë të gjithë ministrat përkatës për bashkëpunim dhe zgjidhje të shpejtë të pengesave të komunitetit të biznesit në Kosovë.