Fjalë Kyçe

Vazhdon trendi i rënies së mbjelljes së grurit

Vazhdon trendi i rënies së mbjelljes së grurit

Bujqësia edhe sot e kësaj dite nuk e gëzon tretmanin që duhet ta ketë. Edhe këtë vit po vazhdon trendi i rënies së kultivimit të grurit në Kosovë. Bujqit ankohen për çmimin e ulët. Mbjellja e grurit mund të bëhet vetëm deri më 10 nëntor, deklarojnë për KosovaPress, bujqit dhe njohësit e bujqësisë.

Njohësit e bujqësisë apelojnë te fermerët që të mbjellin sa më shumë grurin, pasi Kosova nuk po arrin të përmbushë nevojat e veta për konsum. Sipas tyre, këta të fundit duhet të mobilizohen fort, pasi që mbjellja e grurit mund të bëhet vetëm deri më 10 nëntor.

Se ka rënë interesimi i bujqve për kultivimin e grurit e thotë bujku Halim Hashani, për të cilin mbjellja e kësaj kulture bujqësore është duke u zvogëluar çdoherë e më shumë. Për këtë, ai thotë se po ndikojnë një mori faktorësh.

Në mënyrë që bujqit e Kosovës të merren me kultivimin e grurit, sipas tij, duhet të plotësohen disa kushte.

Se rendimenti i sivjetmë i grurit ka qenë i ulët, e thotë për KosovaPress edhe Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës të Bujqve të Kosovës.

Ai tregon se këtë vit nuk është arritur të sigurohen më shumë se 15 përqind nevojat e bukës, gjë që shkakton sërish varësi nga importi.

Sipas Tahirit, bujqit nuk duhet të presin kushte ideale, pasi nëntori mund të ketë reshje të vazhdueshme dhe tu pamundësojë këtyre të fundit mbjelljen e tokave të tyre.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci i tha KosovaPress-it, se bujqësia edhe sot e kësaj dite nuk e gëzon tretmanin që duhet ta ketë, sidomos në prodhime strategjike siç është kultura e grurit.

Ai thotë se duhet të stimulohet produktiviteti i punës në bujqësinë primare dhe të ketë indikator matës, teksa apelon te të gjithë fermerët që kultivimit të grurit t’i qasen me seriozitetin më të madh, që mbjelljet të përfundojnë më së largu deri më 10 nëntor.

Ai thekson se thatësia që po mbretëron në vend prolongon afatin e mbjelljes, porse apelon që të zbatohet mbjellja.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të priten të reshurat në mënyrë që të zbatohen masat parapërgatitore të tokës për mbjellje, pasi mund të ketë prolongime të gjata, ku përkeqësimi i motit do të pamundësonte operacionin e mbjelljes.

Ndërkaq në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë se deri më tash është mbjellë gjysma e sipërfaqes së planifikuar për kulturat bujqësore.

Isuf Cikaqi, drejtor i Politikave Bujqësore në MBPZhR, thotë se deri më tash është mbjellë 50 përqind e sipërfaqes së planifikuar, teksa shton se është herët të flitet për rendimentin e grurit për vitin tjetër.

“Deri më tani, sipas informacioneve që i kemi prej terrenit, është mbjellë 50 përqind e sipërfaqes së planifikuar, e cila për këtë vit është 70-80 mijë hektarë, komplet me kulturat lavërtare që mbillen në vjeshtë. Ndërkaq për rendiment është herët të japim një konkludim”, thotë ai.

Kosova po përballet vazhdimisht me mungesë të grurit. Ndonëse me tokë të pëlleshme bujqësore, bujqit ankohen se nuk kanë kushte të favorshme për kultivimin e kësaj kulture strategjike, nga e cila thonë se nuk po kanë fitim./KosovaPress/