Fjalë Kyçe

Konferenca e Rektorëve i numëron AKA-së ‘shkeljet ligjore’

Konferenca e Rektorëve i numëron AKA-së ‘shkeljet ligjore’

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike sërish ka publikuar një njoftim i cili jep detaje për disa nga programet që u është tërhequr akreditimi në këto universitete.

Ata kanë deklaruar se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) nuk ua ka dërguar vendimet zyrtare për tërheqjen ose refuzimin e programeve studimore por janë njoftuar vetëm në formë elektronike.

Mbylljen e këtyre programeve studimore që kanë pasur akreditim valid, Konferenca e Rektorëve e cilëson si ‘arbitrar dhe antiligjor’.

“Udhëzimi administrativ nga MASHT, nr.15,2018. Neni 21, pika 2 përkufizon se akreditimi mund t’i merret një programi vetëm nëse ai ka dështuar të realizojë kushtet e akreditimit, e kjo nuk ka ndodhur me programet studimore.

Neni 21, prg.4 përkufizon procedurën e marrjes së akreditimit nga ana e AKA, vetëm pas një raporti vlerësues të ekipit të ekspertëve të jashtëm, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e universiteteve publike.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KR.

Tutje rektorët kanë deklaruar se Agjencioni për Akreditim (AKA) ka aplikuar standarde shtesë të cilat nuk janë paraparë në momentin e akreditimit.

“Në UA, nr.15, 2018, neni 26, prg. 5.3.4. parashihet që për çdo 60 ECTS kredi të programit studimor, institucioni i lartë arsimor të ketë një profesor me marrëdhënie të rregullt pune me titull PhD nga fusha e programit të studimit.

Ky standard është imponuar automatikisht për të gjitha programet studimore, pra edhe për ato që kanë pasur akreditim para vitit 2018.”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas tyre, ‘ky imponim joligjor ka çekuilibruar shpërndarjen e duhur të stafit akademik nëpër programe studimore’, prandaj edhe këto standarde të reja siç theksohet në njoftim, do të mund të kërkoheshin për akreditim dhe ri-akreditim por jo në programet e akredituara.

Sa i përket kriterit kryesor përmes të cilit Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka tërhequr dhe refuzuar programet studimore, KR thonë se AKA ka dështuar në përkufizimin e fushave studimore ‘duke aplikuar një qasje dogmatike të pashembullt për arsimin e lartë modern’.

“AKA ka mbyllur programet studimore të edukimit me argumentin e gabuar se profesori me fushë studimore filologji (gjuhë dhe letërsi) nuk është fushë studimore e edukimit.

Në momentin e akreditimit të programeve tona ekspertët kanë vlerësuar se fushat studimore të programeve dhe ato të stafit akademik janë në harmoni.”, ka vazhduar njoftimi nga Konferenca e Rektorëve.

Ata gjithashtu kanë akuzuar AKA-në për mosinformim për dyshimet e ngritura rreth programeve studimore.

“AKA ka marrë vendime antiligjore dhe tendencioze ndaj universiteteve publike. Kjo na bën të kundërshtojmë në të gjitha format ligjore deri në ndryshim të plotë të këtyre politikave anarkiste dhe anti-arsimore me të cilat udhëhiqet AKA.”, është thënë në fund të njoftimit.