Fjalë Kyçe

11 gra të kthyera nga Siria dalin para gjykatës, njëra thotë se shkoi atje me kërkesë të burrit

11 gra të kthyera nga Siria dalin para gjykatës, njëra thotë se shkoi atje me kërkesë të burrit

Njëmbëdhjetë gra të kthyera, në fund të javës së kaluar nga Siria, janë paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës për t’u marrë në pyetje rreth aktivitetit të tyre gjatë qëndrimit në zonën e luftimeve.

Ndërsa të mërkurën pritet të dalin gjykatës edhe 21 gratë e tjera, të cilat po qëndrojnë në Qendrën e Azikërkuesve në Vranidoll.

Gratë, të gjitha të mbuluara, janë sjellë në ndërtesën e gjykatës nën përcjelljen e Policisë.

Mbrojtësja e njërës prej të dyshuarave, me inicialet H.K., avokatja Blerta Shyqeriu, ka treguar arsyet e shkuarjes së klientes së saj në Siri, raporton Ekonomia Online.

Shyqeriu ka thënë se e dyshuara H.K., ka shkuar në Siri me kërkesën e burrit të saj.

“Jam avokatja e të dyshuarës për pjesëmarrje në organizim për terrorizëm H.K. Nuk dimë ende se cila do jetë masa e caktuar nga Prokuroria, por H.K ka qenë viktima e shkuarjes në atë vend me kërkesë të burrit të saj”, ka thënë Shyqeriu, raporton EO.

110 kosovarë, përfshirë gra dhe fëmijë, që kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri, janë kthyer të premten mbrëma në Kosovë.

32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë, 9 prej tyre kanë humbur prindërit dhe 4 luftëtarë.