Fjalë Kyçe

Kundërshtohet kërkesa për zgjatjen e afatit të hetimeve

Kundërshtohet kërkesa për zgjatjen e afatit të hetimeve

Sistemi gjyqësor në Kosovë është kritikuar vazhdimisht për mosefikasitet në trajtimin e rasteve penale.

Por, pavarësisht kësaj, Ministria e Drejtësisë në Kosovë, në kuadër të ndryshimeve ligjore, ka propozuar në Draft-kodin e Procedurës Penale që afati i hetimeve të zgjatet nga dy në katër vjet.

Sipas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë, gjithsecili prokuror do t’i kishte në dispozicion deri në katër vjet për të zhvilluar hetime në një rast penal.

Propozimi për zgjatjen e këtij afati, është kritikuar nga organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsideron se zgjatja e afatit nga dy në katër vjet, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe krijon komoditet për prokurorët.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se ky propozim bie ndesh me praktikat ndërkombëtare për të përfunduar rastet në një afat të arsyeshëm kohor.

“Afati i hetimeve nuk duhet të zgjatet nga dy në katër vjet, duke u bazuar, në radhë të parë në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila gjykatë ndër të tjera në praktikën e saj gjyqësore ka përcaktuar se shtetet duhet të ndërmarrin masa adekuate institucionale, përmes së cilave zvogëlojnë, reduktojnë numrin e viteve në trajtimin e veprave penale, në mënyrë që këto raste të trajtohen në një afat të arsyeshëm kohor”, deklaron Miftaraj.

Bazuar në problemet, me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, një prej problemeve kryesore që do të prodhonte zgjatja e afatit të hetimeve në katër vjet, sipas Miftarajt, do të ishte krijimi i komoditetit në hetime dhe se derisa rasti të mbërrijë në gjykatë, do të mund të kalonin më shumë se dhjetë vjet.

“Në bazë të praktikës së deritashme, ne jemi dëshmitarë që proceset gjyqësore në çështje penale, zgjasin me vite e me vite të tëra e ndonjëherë edhe me dekada, e me vetë faktin që tanimë Republika e Kosovës i përcakton katër vjet vetëm në procedurën hetimore dhe vetëm në Prokurori, atëherë, sa e sa vite duhet të marren këto raste pastaj të shkojnë në shqyrtim gjyqësor në gjykata”, shton Miftaraj.

Nga ana tjetër, juristi Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës beson se zgjatja e afatit të hetimeve, shkakton vetëm efekte negative në sistemin e drejtësisë, mes tjerash edhe grumbullimin e lëndëve si pasojë e komoditetit të madh të prokurorëve.

“Edhe nëse bëhet një zgjatje e tillë, unë po shpresoj se e kanë bërë për disa vepra të caktuara penale, por megjithatë unë konsideroj se edhe ato vepra të caktuara penale, nuk ishte dashur që të kenë një afat kaq të gjatë të hetimeve. Ka mundësi që kur nuk mundet prokurori të sigurojë prova apo nuk mundet prokurori që të veprojë në atë drejtim të asaj lënde, që i siguron, i mbledh dhe e pezullon hetimin. Domethënë, është një mundësi e pezullimit të hetimeve për një kohë të caktuar. Pra, e pezullon dhe e vazhdon, në momentin që ka prova të reja e vazhdon ku ka mbetur”.

“Por, assesi nuk bën të tolerohet një periudhë e tillë katërvjeçare, sepse kjo ndikon negativisht në sistemin e drejtësisë, do të thotë ndikon në grumbullimin e lëndëve pasi tani prokurorët kanë më shumë komoditet”, vlerëson Spahija.

Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk përkrahet as nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Haxhiu thotë se Komisioni për legjislacion nuk e ka përkrahur këtë propozim në Draft-kodin e Procedurës Penale dhe në rast se në Kuvend kalojnë këto ndryshime, atëherë bëhen shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Kjo i relakson prokurorët në këtë rast, për shkak se ne kemi probleme të shumta në sistemin e drejtësisë dhe nuk mund që të vendosen afate shtesë për shkak se deri tani sistemi i drejtësisë paska qenë jofunksional, për shkak të paaftësisë ose mungesës së profesionalizimit ose neglizhencës në punët e tyre. Prandaj, ne besojmë se shoqëria civile në këtë drejtim ka të drejtë. Ne kemi kërkuar që të mos përkrahet Drafti i Kodit të Procedurës Penale”, thotë Haxhiu.

Me këtë propozim të Ministrisë së Drejtësisë, sipas Haxhiut, iu jepet komoditet prokurorëve, në vend se të kërkohej punë nga ta.

“Pse e kanë bërë këtë ndryshim, është vetëm për shkak që t’i lënë më komod prokurorët. Në këtë rast t’i relaksojnë ata. Natyrisht unë pajtohem që kjo bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, madje edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse edhe Kushtetuta parasheh, konventa madje edhe nene ku domethënë duhet që gjykimi të bëhet në një kohë të shpejtë dhe të arsyeshme”, shton Haxhiu.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Drejtësisë sa i takon propozimit për zgjatje të afatit të hetimeve nga dy në katër vjet, porse institucioni në fjalë nuk ka kthyer përgjigje.

Me Kodin e Procedurës Penale në fuqi, hetimi penal nga momenti i fillimit, mund të zgjasë maksimalisht deri në dy vjet e gjashtë muaj.

Parimisht, hetimi penal i filluar përfundon brenda dy vjetëve, por në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit, për shkak të hetimeve të ndërlikuara dhe shkaqeve të tjera të përcaktuara sipas ligjit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit edhe për gjashtë muaj shtesë, pra maksimumi deri në 30 muaj apo dy vjet e gjysmë.