Fjalë Kyçe

60 për qind e fëmijëve thonë se kanë përjetuar dhunë fizike a psikologjike së fundmi

60 për qind e fëmijëve thonë se kanë përjetuar dhunë fizike a psikologjike së fundmi

Ndonëse është 30-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve, këta fëmijë të komunitetit rom, ashkali e egjiptas në Fushë Kosovë, të cilët duhej të gëzonin të drejta të barabarta me bashkëmoshatarët e tjerë, po qëndrojnë jashtë objekteve shkollore.

Ndërsa, të tjerë fëmijë që u mohohen të drejtat e garantuara me këtë dokument, vazhdojnë të kërkojnë lëmoshë në gjithë vendin.

Derisa prindërit thonë se duhet edhe më shumë interesim nga institucionet për fëmijët, sidomos ata të komuniteteve jo-shumicë, shprehen se në çdo mënyrë mundohen t’ua sigurojnë atyre shkollimin.

Por, sipas organizatës “Ballkan Sunflowers Kosova”, numri i fëmijëve që braktisin shkollën ka rënë dukshëm nga viti 2008, sidomos në Fushë Kosovë.

Shqetësim për gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe mosrespektim të të drejtave të tyre kanë shprehur edhe zyrtarë të UNICEF-it, por edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Shumë fëmijë po kryejnë punë në rrugë, por edhe Kosova nuk është e përjashtuar nga ky fenomen, por gjithashtu shumë fëmijë janë viktima të dhunës në shtëpi. I bëj thirrje Qeverisë që të respektojë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve që është miratuar këtë vit. Kosova ka të rinj të cilët janë të njohur si Dua Lipa , Rita Ora , Majlinda Kelmendi , Uta Ibrahimi , Nora Gjakova dhe të gjitha këto janë vajza që ne duhet t’i marrim si modele që shoqëria të zhvillohet”, ka thënë Natalyia Apostolova-Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në anën tjetër, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë, ka kërkuar që urgjentisht të respektohet Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i miratuar për herë të parë tek para rreth 4 muajve.

Sipas të dhënave të KOMF-it, 6.8% e fëmijëve në Kosovë punojnë në kushte të rrezikshme, ndërsa 61.4% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike në muajt e fundit.