Fjalë Kyçe

Abrashi e Borovci deklarohen pas vendimit të LDK-së për përjashtimin e tyre nga gara për kryetar të degës

Abrashi e Borovci deklarohen pas vendimit të LDK-së për përjashtimin e tyre nga gara për kryetar të degës

Arban Abrazhi dhe Hazir Borovci janë deklaruar pas vendimit të LDK-së që të dy të tërhiqen nga gara për kryetar të degës së tretë të kësaj partie në Prishtinë.

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së ku u mor ky vendim, Abrashi tha se në mbledhje u fol për zhvillimet dhe proceset e se situata duhet të trajtohet me më shumë kujdes.

“Ka pasur demokraci. Sot e kemi pa në media që aty kanë qenë të infiltruar disa të partive të tjera, i keni pa edhe vetë lajmin e një personi me karrige, që si duket është i një partie tjetër dhe kaq mund të them. Po flasim për këtë të djeshmen, e pashë në media, ishte i identifikuar edhe me foto edhe me emër dhe nuk kam çka të komentoj më shumë. Sot folëm në përgjithësi për zhvillimet dhe proceset. Duhet trajtuar me më shumë maturi, duhet më shumë ndërhyrje të kryesisë për të ecur tutje. Ato duhet trajtuar dhe të shikohen parregullsitë. Ka problem edhe me anëtarët e partive të tjera, të cilat po ndërhyjnë shkaku i mungesës së listës së anëtarësisë, por janë gjëra që rregullohen. Është tragjike realisht ajo çka ka ndodhur dje, por po shihet që janë edhe të tjerët të interesuar ta dëmtojnë LDK-në, të partive të tjera. Sot e keni pa në media me emër me mbiemër me karrige në dorë”, ka deklaruar ai.

Abrashi më tej ka thënë se nuk beson që dikush është kundër tij në LDK.

“Nuk kisha hy, nuk besoj që është dikush kundër meje, më shumë ka njerëz që dëshirojnë të kyçen në LDK dhe në këtë proces të zgjedhjeve të brendshme. Unë gjithmonë kam me qenë ai zëri i arsyes që kam për t’iu ndihmuar të rinjtë për anëtarësim dhe për t’iu gjetur hapësirë në LDK, kurrgjë tjetër”, është shprehur ai.

Menjëherë pas Abrashit foli zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, që bëri të ditur se kryesia ka marrë vendim që Abrashi e Borovci të tërhiqen nga gara dhe se me pjesën e mbetur të procesit zgjedhor në Degën III do të udhëheqë Kryesia Qendrore e LDK-së.

Koha.net ka kontaktuar Borovcin, që është aktualisht kryetar i kësaj dege. Ai ka thënë se do të mblidhet me kryesinë e degës për të analizuar vendimin.

“LDK-ja është shtëpi e madhe. LDK-ja ka një rend, një rregull dhe unë personalisht e kam kryesinë, e thërras kryesinë e degës, komisionin me të cilin kemi punuar dhe mandej jam i gatshëm që të flas për secilin medium që më thërret që të bisedojmë e të prononcohem. Në këtë rast më duhet të thërras kryesinë e degës dhe të analizoj këtë vendim”, ka thënë Borovci.

I pyetur se a do të pranojë vendimin e kryesisë, Borovci ka thënë se “nuk vepron dhe funksionon vetëm”.

“LDK-ja është shtëpi e madhe që s’është vetëm e Hazirit por as edhe veç e kryesisë, ka edhe përtej kryesisë e hairit andaj do të thërras me kryesinë time dhe komisionin”, ka shtuar ai.

Haziri nuk ka pranuar se në zgjedhjet në LDK kanë ndërhyrë zyrtarë të partive të tjera. Sipas tij e vërteta është thënë në njoftimin e djeshëm të zyrës së informimit të degës III të LDK-së.

E në njoftimin e së dielës në faqen e kësaj dege në Facebook akuzohet Abrashi se “u ka thënë të pranishmëve të prishin kuvendin”.

“Në momentin kur po votohej për propozimet, u pa hapur se delegatët po votonin me shumicë për propozimin e kryesuesit, dhe aty po shihej qartë se nga 340 delegatë në tubim zgjedhor, 230 votuan për propozimet e Kryetarit Sherif Vrajolli. Pasi që grupi tjetër nuk i kishte numrat, për ta prishur rrjedhën e këtij kuvendi reaguan në forma të ndryshme duke sulmuar edhe fizikisht kryesinë e punës si dhe Kryetarin e Nëndegës MATI Sherif Vrajollin. Pasi kishte parë humbjen, Arban Abrashi është dëgjuar nga të pranishmit, në dalje e sipër duke thënë: Prisheni kuvendin”, thuhet në postimin e së dielës.

Në përleshjen e djeshme në këtë nëndegë u përdoren edhe karriget.