Fjalë Kyçe

Albin Kurti: Qeveria jonë nuk do të varet nga Lista Serbe

Albin Kurti: Qeveria jonë nuk do të varet nga Lista Serbe

Me marrjen e drejtimit të Qeverisë, Albin Kurti u shpreh se do të zëvendësojë taksën 100 % ndaj produkteve serbe në Kosovë me reciprocitet ekonomik, politik dhe tregtar.

“Tarifa 100 % zëvendësohet me reciprocitet. Nuk e di kur, por qeveria jonë do të jetë e përbërë nga Vetëvendosja dhe LDK-ja. Ne do të vendosim dhe kur do ta vendosim do ta heqim – do të përpiqemi sa më shpejt”, ka deklaruar ai në Report TV.

Kurti u shpreh se serbët e Kosovës po përdoren nga Beogradi kundër Prishtinës, derisa shtoi se Listës Serbe nuk ia ka nevojën për koalicion, por do të gjejë një mënyrë për përfshirjen e saj në qeveri, si obligim kushtetues.

“Ata [serbët në Kosovë] nuk i duan as në Serbi, më shumë i përdor Beogradi që të mos ecë Kosova përpara. Kur kam qenë në burg, serbët e Kosovës i merrnin si gardianë dhe i quanin ‘shiptari’, term pezhorativ. Serbët e Kosovës Beogradi nuk i do dhe është në panik. Ata në kohën e Hashim Thaçit mbajtën referendum, dhanë dorëheqje dhe shkuan në zgjedhje, prapë vijnë në takime”.

“Ata e dinë se në Serbi mund të shkosh nëse ke një shtëpi rezervë, por në të kundërtën jo. Unë besoj se edhe Lista Serbe është e shantazhuar nga Aleksandar Vuçiqi. Duhet të kem marrëveshje me LDK-në dhe 10 deputetët e pakicave joserbe dhe në fund do të gjejmë ndonjë mënyrë për ta përmbushur Kushtetutën, por për koalicion politik nuk ua kemi nevojën. Ne nuk do të na varet qeveria nga Lista Serbe, por obligim kushtetues do ta gjejmë”.