Fjalë Kyçe

Anëtari i Vetëvendosjes tregon nëse do të pranojë ftesën e Gjykatës Speciale apo jo

Anëtari i Vetëvendosjes tregon nëse do të pranojë ftesën e Gjykatës Speciale apo jo

Ish-ushtari i UÇK-së nga Malisheva, Gani Krasniqi, ka thënë se ka marrë një ftesë nga Gjykata Speciale së cilës ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht.

“Po, ftesa është e vërtetë se më është dorëzuar në dorë nga një hetues i këtij organi të themeluar nga institucionet tona. Aty precizon se duhet të paraqitem me 11 dhe 12 nëntor në orën 09:00 në Hagë. E kam thënë se po do t’i përgjigjem ngase sepse nuk e mohoj, përkundrazi e ndjej veten mirë që kam qenë pjesë e UÇK-së nga themelimi ose një nga ata themeluesit e UÇK, dhe themelues për zonën ku ftohem”.

“E kam obligim për të treguar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe më obligon një pjesë e deputetëve që janë treguar të papërgjegjshëm që kanë votuar për këtë gjykatë”, ka thënë Krasniqi, njofton Klan Kosova.

Ai ka thënë se ftesa ndaj tij është si dëshmitar, por që ka shtuar se lë hapësirë për dykuptimësi. “Për ftesat e mëhershme jam njoftuar nga mediat se janë ftuar në cilësinë ‘dëshmitar i dyshuar’. Ka vend për dykuptimësi, po edhe si dëshmitar edhe si i dyshuar do t’i përgjigjem”.

Krasniqi ka pohuar se për në Hagë do të udhëtojë pa avokat mbrojtës. “Jo nuk do të kem avokat. Vlerësoj se në fjalorin tonë te bashkëluftëtarët thuhet se ‘do ta mbrojmë UÇK-në’ – UÇK s’ka nevojë ta mbrojë askush, askund. Unë nuk jam UÇK-ja, unë do të deklaroj të gjitha ato që kam përjetuar e parë gjatë rrugëtimit tim në luftën çlirimtare”.

“Nuk kam nevojë për mbrojtje për atë që do ta them. Do ta kem një kërkesë për ta pasur një asistent që është një studiuese angleze që e di gjuhën angleze, për ta pasur përkthimin dhe ato çfarë do të them. Nuk kam nevojë për mbrojtje për atë që kam përjetuar”.

“Në ftesë më është thënë se do të ishte e dëshirueshme të sjellësh çdo gjë çfarë ke, fotografi, ditarë… kam gjëra që do t’i paraqes. Kam fotografi të masakrave masive nga pleqtë 90 vjeçar deri të fëmijët e mitur që janë masakruar. Janë pjesë e rrugës sime”.