Fjalë Kyçe

Arrestohen dy persona për ‘falsifikim të parasë’ dhe ‘mashtrim’

Arrestohen dy persona për ‘falsifikim të parasë’ dhe ‘mashtrim’

Policia, më 08.05.2019, ka pranuar informatën nga zyrtarë të një banke, se në degët e saj në Fushë Kosovë dhe Malishevë, janë deponuar përmes bankomatit një shumë parash, që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Prishtinës, ka filluar menjëherë hetimet intensive rreth këtij rasti.

Policia ka grumbulluar të dhëna dhe prova të mjaftueshme të cilat kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në veprimtari penale ‘falsifikim i parasë’ dhe ‘mashtrimi’.

Më, 15 maj 2019, policia ka arrestuar dy të dyshuarit:

Njëri me inicialet D.R, mashkull, i lindur me 1991 dhe tjetra femër me inicialet F.Z e lindur me 1996.

Të arrestuarit dyshohet se në degën e bankës në Fushë Kosovë kanë deponuar 13 (trembëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro dhe në degën e bankës në Malishevë kanë deponuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kartëmonedha nga 500 euro. Vlera e përgjithshme e parave që dyshohet të jenë të falsifikuara është 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro.

Të dyshuarit, janë intervistuar nga hetuesit policorë në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari D.R. dërgohet në mbajtje për 48 orë, kurse e dyshuara F.Z. lirohet në procedurë të rregullt.