Fjalë Kyçe

Autoritetet zelandeze ua dorëzojnë familjeve trupat e viktimave të sulmit

Autoritetet zelandeze ua dorëzojnë familjeve trupat e viktimave të sulmit

Organet e policisë dhe hetuesisë në Zelandën e Re po përpiqen që sa më shpejt t’i identifikojnë 50 personat e vrarë në sulmin e tmerrshëm terrorist. Kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern, ka thënë se autoritetet kanë filluar t’ua dorëzojnë trupat familjeve të viktimave.

Sipas kryeministres, të gjithë trupat e personave të vrarë do të dërgohen në familjet e tyre deri të mërkurën. Ajo ka njoftuar se gjashtë ekspertë australianë për identifikimin e viktimave kanë shkuar në Zelandë të Re për ta përshpejtuar këtë proces.

Përndryshe, policia ka thënë se përpjekjet për t’i identifikuar viktimat e sulmit janë punë e hollësishme dhe e ndërlikuar, e cila duhet të përfundohet plotësisht. “Është jetike që të sigurohemi për secilën vdekje për shkak të procedurave gjyqësore që mund të zhvillohen në të ardhmen”, tha zyrtari policor, Peter Read.

“Nuk ka asgjë më të keqe sesa dorëzimi i një trupi në familje të gabuar. Këto gabime nuk do t’i lejojmë”, thuhet në deklatarën e policisë. Autoritetet kanë njoftuar se janë duke bashkëpunuar me shoqatat islame dhe imamët në mënyrë që procesi i varrimit të kryhet sa më shpejt, siç e kërkon tradita islame.

Për sulmin që shkaktoi 50 viktima aktualisht ndodhet në paraburgim vetëm i dyshuari Brenton Harris Tarrant. Tre persona tjerë që ishin ndaluar më parë nga policia nuk kanë qenë të përfshirë në sulm, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.