Fjalë Kyçe

Bie numri i fëmijëve të braktisur

Bie numri i fëmijëve të braktisur

Numri i fëmijëve të braktisur çdo vit po shkon duke u zvogëluar. Në vitin 2018, 28 raste dhe nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 22 raste.

Sipas të dhënave që posedon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, del se numri i fëmijëve të braktisur çdo vit po shkon duke u zvogëluar. Në vitin 2014, janë evidentuar 41 raste, në vitin 2015, 43 raste, në vitin 2016, 36 raste, në vitin 2017, 34 raste, në vitin 2018, 28 raste dhe nga janari deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 22 raste.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se strehimi i këtyre fëmijëve është një formë alternative e mbrojtjes së përkohshme dhe afatshkurtër për fëmijët e kësaj kategorie, për shkak se Republika e Kosovës që nga periudha e pasluftës nuk ka ndërtuar dhe rindërtuar asnjë jetimore, atëherë për mbrojtjen dhe strehimin e fëmijëve pa kujdes prindëror nga mosha 0-18 vjeç, ka zhvilluar partneritet me sektorin jo qeveritar, bashkëpunon me SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Shpresa dhe Shtëpi për fëmijët, “Caritas Umbria”.

Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ për fëmijët që janë të strehuar në Fshatin Sos, tha se ata kanë kujdesin intensiv nga “SOS Nëna”, një grua e cila nuk ka obligime familjare jashtë “SOS Fshatit” dhe ka vendosur të punojë dhe të përkushtohet për rritjen e fëmijëve të cilët i besohen asaj.

Ndërsa gjatë ditës, javës dhe vitit ata marrin shërbime sistematike prej psikologut, punëtorit social dhe pedagogut.

Peci për KosovaPress, tha se aktualisht në Fshatin Sos janë të strehuar 60 fëmijë, të cilët marrin të gjitha shërbimet që i mundësojnë atyre fëmijëve të rritën në mënyrë të mirëfilltë si të gjithë fëmijët e tjerë.

Peci gjithashtu tha se fëmijët e Fshatit Sos edhe pasi t’i mbushin 18 vjet, vazhdojnë të jenë pjesë e tyre, sepse në kuadër të Sos-it hyn edhe programi i gjysmë pavarësimit, që i mundëson të rinjve të qëndrojnë edhe 3 vite të tjera derisa, ata të ndihen të sigurt për ta përballuar jetën.

E drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, tha se në repartin e tyre ka foshnje të cilat prindërit i braktisin ditën që i lindin dhe foshnje që policia së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale i dërgojnë nga tereni.

Sipas tij, të gjitha këto foshnje në klinikë qëndrojnë 28 ditë, ku edhe i marrin shërbimet e duhura, pastaj i referohen Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Gojnovci tha se është fat i mirë që numri i foshnjave të braktisura është në zvogëlim e sipër. Ai shtoi se rastet kur prindërit pasi kanë lënë foshnjën, kthehen dhe i marrin përsëri janë raste të mëdha.

Në vitin 2014, sipas tij, kanë qenë 28 foshnje të braktisura, një bashkim familjar, në vitin 2015, 19 foshnje të braktisura, 9 bashkime familjare, në vitin 2016, 23 foshnje të braktisura, 12 bashkime familjare, në vitin 2017, 12 foshnje të braktisura, 26 bashkime familjare ,në vitin 2018, 9 foshnje të braktisura, 20 bashkime familjare dhe në vitin 2019, 12 foshnje të braktisura 26 bashkime familjare.

Gojnovci ka një mesazh për prindërit e ri. Sipas tij, ata duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos i braktisin fëmijët e tyre dhe uron që numri i fëmijëve të braktisur të zvogëlohet.

Kujtojmë se në vitin 2019 në muajt, janar-shtator janë evidentuar 22 raste të fëmijëve të braktisur, numër ky në zvogëlim e sipër në krahasim me vitet e kaluara./KosovaPress/