Fjalë Kyçe

Brovina rrëfen për publikimin e fotografive tronditëse: Ta dëshmosh gjenocidin duhet të kesh fakte

Brovina rrëfen për publikimin e fotografive tronditëse: Ta dëshmosh gjenocidin duhet të kesh fakte

Flora Brovina, deputete e PDK-së, ka publikuar sot në Kuvend dhe para mediave dy fotografi tronditëse: në njërën shihet një grua shqiptare që përdhunohet nga tre serbë, kurse në tjetrën një vajzë shtatëvjeçare që ka vdekur si pasojë e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Këto fotografi kanë nxitur shumë reagime emocionale.

Flora Brovina në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar arsyet pse ka zgjedhur që pikërisht sot t’i publikojë fotografitë tronditëse.

“Kur jam njohur me rastin nuk kam fjetur dy javë. Edhe unë jam një person që ka pësuar gjatë luftës. Megjithatë, e kam mbledhur forcën sepse mbi dhimbjen time ekziston e vërteta e këtyre familjeve dhe popullit tim dhe gjenocidit që ka ndodhë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë”.

“Fotografi të ngjashme janë publikuar edhe më herët, por nuk e kanë pasur bujën dhe reagimin e njëjtë si kundërpërgjigje”.

“Ka qenë një konferencë para shumë vitesh ku ka qenë e pranishme edhe Vlora Çitaku që në atë kohë ishte Ministre e Integrimit. Ka qenë një konferencë ndërkombëtare ku I kam treguar fotografitë e grave të dhunuara”.

“Ndoshta janë përzier interesat e ndryshme, politika jonë po reflekton e ndarë, jo me një mendim”.

“Disa herë gjatë viteve dhe mandateve të ndryshme Kuvendi i Kosovës ka provuar që ta nxjerrë një Rezolutë për Gjenocidin dhe kjo ka qenë shumë e nevojshme qysh më herët. Më në fund po arrijmë që ta kemi një rezolutë të tillë”.

“Ta dëshmosh gjenocidin duhet të kesh fakte. Një nga faktet ishin edhe këto gjëra që unë i solla sot në Kuvendin e Kosovës”.

“Unë fola për fëmijët e helmuar dhe kam fakte për këtë. Solla si fakte analizat e gjakut, dëshmitë e ekspertëve të jashtëm dhe mendimet e tyre të shfaqura në institucionet ndërkombëtare. Edhe vet dëshmova që kam folur në Akademinë e Shkencave ku ishin akademikët e botës në Simpoziumin e Zagrebit të organizuar për fëmijët e helmuar”.

“Insistova që çështja e helmimit të fëmijëve masovikisht në Kosovë gjatë viteve 1990-ta me helme neurotoksike, që është krim kundër njerëzimit, të hyjë në rezolutë”.