Fjalë Kyçe

Burdushi tani regjistron biznesin e tij si “Burdushi shpirtëror”

Burdushi tani regjistron biznesin e tij si “Burdushi shpirtëror”

Hysri Peqani i njohur për publikun e gjerë me nofkën “Burdushi” më në fund ka regjistruar biznesin e tij që për një kohë të gjatë e ushtroi jashtëligjshëm. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë ai në profilin zyrtar në Facebook.

“Burushi shpirtëror” quhet zyra që në përshkrim të regjistrimit thuhet se ofron shërbime shëndetësore, kulturore dhe shërbime tjera sociale.

“Hajde urime me kod të ri dhe dizajn të ri”, ka shkruar Burdushi në mbishkrimin e fotografive që tregojnë për regjistrimin e biznesit të tij.

Ndryshe, Burdushi për katër javë qëndroi në paraburgim. Madje gjatë kësaj kohe avokati i tij konfirmoi se kishte tentuar ta privonte vetën nga jeta.

Ai që në publik njihet si Burdushi dyshohej se kishte kryer katër vepra penale:

Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim, dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Se ka ndryshuar masa për Burdushin ka konfirmuar për Gazetën Express ditë më parë, prokurori i prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Kryeziu ka deklaruar se për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor.

“ Ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, maksimumi i dënimit për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri është pesë vite dhe për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase mbi katër muaj, prokurori ka konsideruar se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor”, ka deklaruar ai.

Burdushi ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar pasi që Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.