Fjalë Kyçe

“Do ta rrëzojmë Qeverinë”

“Do ta rrëzojmë Qeverinë”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, është i bindur se partia e tij bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me partitë tjera parlamentare do ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend.

Selmanaj ka thënë se kjo iniciativë e opozitës është shumë serioze, me ç’rast nuk ka përjashtuar mundësinë që për t’ia arritur qëllimit do të bashkëpunojnë me të gjithë deputetët, duke përfshirë edhe ata të PDK-së.

“Ajo që është e rëndësishme është që kjo qeveri do të marrë fund. LDK-ja fillimisht do t’i takojë partitë opozitare dhe më pas do të shohë se si të veprojë më tutje. Të gjitha mundësitë janë të hapura për të diskutuar edhe me deputetët individualisht, por edhe me partitë politike konkrete. Nuk është menduar nëse do të marrim ndonjë deputet te PDK-ja ose deputetë tjerë individualisht të ndonjë subjekti tjetër politik, por iniciativa jonë është serioze dhe kushdo që bashkohet ne do ta mirëpresim”, ka pohuar Selmanaj.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” njëri nga deputetët më të votuar të LDK-së ka folur edhe për skandalin prej 200 mijë eurosh të publikuar së fundi në medie, ku lakohet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli në një videoincizim në aferën e fajdeve.

Selmanaj ka thënë se Veseli nuk e ka vendin në politikë, por diku tjetër.

“Zoti Veseli nuk është dashur të jetë kurrë në politikë, tjetërkund e ka vendin ai. Ai duhet të japë llogari për shumë gjëra të së kaluarës së tij, të veprimeve të tij ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka potencuar Selmanaj.