Fjalë Kyçe

Dy pjesëtarë të komunitetit rom akuzojnë Policinë se u rrahën në stacion

Dy pjesëtarë të komunitetit rom akuzojnë Policinë se u rrahën në stacion

19-vjeçari Selim Berisha, nga fshati Plemetin i Obiliqt po pretendon se është rrahur nga pesë zyrtarë policorë muajin e kaluar.

Ai u arrestua më 23 maj në këtë fshat dhe po mbahet në arrest shtëpiak, pasi ngarkohet me veprën sulm dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Berisha pranon se edhe ai goditi zyrtarët policorë, teksa u arrestua bashkë me vëllanë e tij, pas një konflikti që kishin pasur me një person tjetër.

“Policia na ka shkaktuar probleme dhe e kanë shtyrë nënë time. Kur e kam parë që po e shtyjnë nënën time, i kam mshu’ policit dhe në atë moment nuk e kam ditur se çfarë po veproj; e kam goditur edhe unë policin, pastaj kanë ardhur pesë apo gjashtë policë, më rrahën dhe më vendosën prangat. Kur më kanë dërguar në Stacionin policor të Obiliqit, aty më kanë rrahur 3 apo 4 orë, më kanë lidhur për radiator, duke m’i lidhur duart; më kanë rrahur, ma kanë thyer dhëmbin, për këtë shkak kam edhe disa lëndime në këtë pjesë rreth barkut”, ka thënë Berisha

Rastin e paraqiti nëna e dy djemve Berisha në Institucionin e Avokatit të Popullit, i cili është duke e hetuar ngjarjen.

Për ngjarjen ka reaguar edhe përfaqësues të shoqërisë civile rome, të cilët përmes një letre publike, u janë drejtuar institucioneve që të trajtojnë rastin.

“Gjatë mbajtjes së tyre në stacionin policor në Obiliq, dy pjesëtarët e komunitetit rom u janë nënshtruar torturave të rënda dhe trajtimit jonjerëzor nga vetë zbatuesit e ligjit”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje me shkrim për KTV-në, ka thënë ta kenë pranuar këtë ankesë dhe se e njëjta, pas analizimit, është përcjellë te Departamenti i Hetimeve, ku do të ndërmerren veprime hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente.

Sipas Policisë së Kosovës, më 23 maj rreth orës 16:15, sa njësiti policor ishte në patrullim rutinë ne fshatin Plametin, ka hasur në një veturë, brenda së cilës tre persona përdornin dhunë ndaj personit tjetër.

“Njësiti policor ka intervenuar, edhe pse ka hasur në rezistencë. Policia ka arritur të prangosë personat e dyshuar dhe të fusë situatën nën kontroll. Pas intervistimit te palëve te involvuara në rast, është konsultuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij, dy nga personat e dyshuar, janë dërguar ne qendrën e mbajtjes, ndërsa një prej tyre është liruar ne procedurë të rregullt. Në këtë rast, përveç viktimës, lëndime trupore kishin pësuar edhe zyrtarët policorë”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun & Media.

Policia ka thënë të mos ketë pranuar ndonjë ankesë sa u përket sjelljeve dhe punës policore dhe ka mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë, por ka theksuar se tashmë në Prokurori është dorëzuar kallëzimi penal ndaj të dyshuarve.