Fjalë Kyçe

Ekipi negociator dërgon në Kuvend platformën për dialog

Ekipi negociator dërgon në Kuvend platformën për dialog

Ekipi negociator sot do ta dërgojë platformën për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.

Bashkëkryesuesit Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë thënë se platforma do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në dialog.

Ahmeti ka thënë se platforma do të jetë tërësisht e bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe shpreson që javën e ardhshme të mbahet seanca plenare për të dhe të ketë diskutime të mirëfillta në Kuvend.

Ai ka shtuar se Ekipi negociator për dialogun në Bruksel do të hapë edhe temat që më herët nuk janë diskutuar si krimet e luftës, dëmshpërblimi dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa, Limaj ka potencuar se në platformë janë përfshirë të gjitha shqetësimet dhe ndjeshmëritë që kanë mbuluar deri më tash procesin e dialogut.

“Platforma është e bazuar në Kushtetutë, Deklaratën e Pavarësisë dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket linjave të kuqe që përmban platforma, bashkëkryesuesit e ekipit negociator kanë pohuar se ajo buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe nuk do të dilet prej saj.