Fjalë Kyçe

Gruas rome që u rrah në disa qytete i sigurohet banimi, në Podujevë askush s’i dha banesë me qira

Gruas rome që u rrah në disa qytete i sigurohet banimi, në Podujevë askush s’i dha banesë me qira

Gruaja rome Z. S, e cila ishte rrahur në disa qytete të Kosovës, nga persona të ndryshëm, ka qëndruar për dy muaj e gjysmë në strehimoren për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në kryeqytet.

Si banore e komunës së Podujevës, kjo e fundit, deri më tash nuk ia ka bërë një zgjidhje për banim.

Në qendrën për punë sociale në Podujevë, thonë se zyrtarë të Komunës e kanë neglizhuar këtë rast.

Por, 29 vjeçares i është siguruar një banesë në kryeqytet, pasi që në Komunën e Podujevës askush nuk ka pranuar që asaj t’i lëshojë banesë apo shtëpi me qira, raporton KTV.

Behie Gashi nga Qendra në Podujevë, ka thënë se Z.S i është siguruar edhe asistenca sociale.

“Pasi Z.S ka dalë vullnetarisht nga strehimorja, policia e ka sjellë te ne në qendër. Ne kemi kërkuar që kësaj vajze t’i bëhet zgjidhje shumë më herët, por komuna e Podujevës e ka neglizhuar si rast deri më tash, por tani Komuna e Podujevës i ka siguruar një banesë në Prishtinë për gjashtë muaj, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme për të”, ka thënë Gashi nëpërmjet telefonit.

Por, Komuna e Podujevës mohon të ketë neglizhuar rastin, duke thënë se vonesat kanë ndodhur, sepse e kanë pasur të vështirë derisa i kanë siguruar banimin.