Fjalë Kyçe

Haradinaj e deklaron “të vdekur” opsionin e ndarjes së Kosovës

Haradinaj e deklaron “të vdekur” opsionin e ndarjes së Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me prekjen e kufijve, Rusia do të ftohej të rris ndikimin e saj në Ballkan. Ai gjithashtu ka folur për dialogun, marrëdhëniet me SHBA-të e çështje tjera.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në “Debat Plus” tha se hapja e kufijve do të ishte një ftesë për Rusinë për t’i dhënë më shumë rol në rajon.

“Hapja e kufijve dhe lëvizja me kufi është proces që vështirë se do të mbyllet pastaj. Nuk dihet kush fiton, supozohet se krijohet një situatë e paqartë që do të ishte një ftesë për Rusinë për më shumë rol…Presidenti i Kosovës mban këtë pozitë në bazë të kushtetutës, por opsioni për ndarje të Kosovës, që ndoshta dikush e ka shty atë për ta promovuar, ka “vdekur” realisht”, tha Haradinaj.

Idenë e hapjes së kufijve Haradinaj e cilësoi të rrezikshme duke e krahasuar me temën e demarkacionit e cila mund të provokonte luftë civile.

“Ju e dini që për pak hektarë të vlefshëm që fatmirësisht u gjet zgjidhje, ishim duke shkuar drejtë luftës civile. Askush nuk mund të bëj shaka më me këtë vend”, shtoi Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq duke folur për marrëdhëniet me Amerikën, Haradinaj pranoi se ka takime me përfaqësues të Ambasadës dhe se marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të mira.

Është normale që Ambasada e Amerikës të na jep vërejtje të sinqerta për çdo gabim që ne bëjmë…Kurrë më të mira dhe më të qëndrueshme marrëdhëniet nuk kanë qenë”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.

Haradinaj mes tjerash foli edhe për vazhdimin e dialogut për të cilin tha se duhet të vazhdojë me qëllim që të arrihet njohja nga Serbia, ndërsa ka potencuar se taksa mbetet deri në njohje.