Fjalë Kyçe

Haziri: Taksa do ta marrë me veti edhe Qeverinë, jemi vonë për pezullim

Haziri: Taksa do ta marrë me veti edhe Qeverinë, jemi vonë për pezullim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake duhet të hiqet. Madje, sipas tij – Kosova tashmë është vonë që ta bëjë një gjë të tillë.

Në Dukagjini, Haziri ka thënë se taksa 100 për qind po determinon raportet me ndërkombëtarët, andaj qeveritarët duhet të kenë kujdes me veprime të tilla, të cilat ai i cilëson si të pamatura.

“Ne si LDK kemi konstatuar se partitë në Qeveri nuk na kanë pyetur kur e kanë vendos taksën, e as tash se kur me heq. Qëndrimi i LDK’së të cilin po e shpreh unë sonte është që taksa apo thënë më mirë tarifa do ta marrë Qeverinë me vete, sepse raporti me partnerët ndërkombëtarë, si SHBA e BE po tregohet si determinues për këtë vendim të Qeverisë. PAN’i ka vendosur me inati politik, dhe inatet politike nuk janë të suksesshme asnjëherë”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se partitë politike nuk duhet të nxisin përçarje në kohën kur vendi ka nevojë më së shumti për unitet politik për procesin e dialogut.

“Ato munden me mbërri një qëllim të caktuar, por tani jemi në një situatë të re, pasi nevojitet një unitet politik për dialogun. Partitë në Qeveri Duhet t’i afrohen opozitës, LDK’së e VV’së për një qëndrim të tyre lidhur me këto”, shtoi ai.

Haziri ka thënë se LDK asnjëherë nuk do t’i rrezikonte raportet me SHBA’të dhe po të ishte në qeverisje një kryeministër i LDK’së nuk do të ndodhte asnjëherë një rrezikim i tillë i raporteve.

“LDK nuk rrezikon raportet me SHBA dhe me pas qenë në qeverisje kryeministër i LDK’së, kjo nuk kish me ndodh. Nëse me pyetni mua për pezullimin e taksës, mund të them se tani jena vonë. U dashtë më herët, nuk guxojmë t’i pengojmë proceset zhvillimore në vend. Nëse e shohim se çka vepron Serbia dhe veprojmë me inati, atëherë kjo vazhdon tërë kohën. Serbia përveç tarifës, e ka problem edhe Platformën. Nuk duhet me sjell vendime që krahasohen me Serbinë”, ka thënë Haziri.