Fjalë Kyçe

Kërkohet drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

Kërkohet drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

Me 23 nëntor janë bërë 19 vite nga vrasja e gazetarit dhe veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa, e për këtë vrasje ende askush nuk është dënuar.

Gazetari Xhemail Mustafa bënë pjesë në mesin e 15 gazetarëve të cilët janë vrarë e për ta nuk është dënuar askush, madje katër prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Sot familjarët e gazetarëve të vrarë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në një konferencë të organizuar për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë për periudhën 1998-2005, kanë kërkuar drejtësi dhe që urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve të vihen para drejtësisë.

Beriana Mustafa, vajza e gazetarit të vrarë Xhemail Mustafa, ka deklaruar se si familjarë e- kanë vetëm një pyetje, se ku është drejtësia dhe ku janë njerëz të cilët kanë dhënë urdhër për vrasjen e babait të saj.

Për të është e pakuptimtë që për vrasjen e babait të saj 19 vite pas ende nuk është dënuar askush.

“Po flasim për njerëz, nuk po flasim për statistika të cilat i mbushin raportet e një organizate ose një mekanizmi. Po flasim për njerëz të cilët përveç që kanë pasur jetë të tyre personale ose karrierë qoftë politike, qoftë gazetareske, pavarësisht begrandit të tyre etnike, janë njerëz që prapa vetës kanë lënë familje. Familje të cilat sot fatkeqësisht qoftë 20 vite, qoftë 19 vite, qoftë 15 vite, e kanë veç një pyetje në kokë, ku është drejtësia, ku janë njerëzit të cilët kanë dhënë urdhër për vrasjen e tyre. A është e mundur që në një Kosovë kaq të vogël, pa dashur me e amnistua hiç institucionet vendore, ku është komuniteti ndërkombëtar që ka shpenzuar miliarda euro në resurse njerëzore për ngritjen e institucioneve të Kosovës, ku janë ata të cilët sot, në një Kosovë 1.8 milionë qytetarë nuk kanë arritur me e vu para drejtësisë vetëm një rast të një gazetari të vrarë”, tha ajo.

Ajo tha se të flasësh për vrasjen e gazetarëve, të kërkosh drejtësi për ta nuk është vetëm obligim moral, por sipas saj, është e drejtë bazike. Mustafa tha se nuk mundesh me e privuar nga jeta dikë vetëm pse mendon ndryshe nga ti, vetëm pse shkruan ndryshe nga ti.

E bija e Xhemail Mustafës, tha se në emër të një qetësie në Kosovë, institucionet ndërkombëtare dhe vendore kanë bërë pazare shumë të mëdha që këto vrasje të mos zbulohen.

Ajo tha se për ta si familjarë është e rëndësishme të dihet se kush dhe pse i vrau më të dashurit e tyre.

“Është patetike për një komunitet të tërë ndërkombëtar në Kosovë, të cilët kanë investuar kaq shumë deri në 2005 është vrasja e fundit e Bardhyl Ajetit. Unë e dëgjova ambasadorin ë tha se nuk kanë pasur institucionet e Kosovës kompetencë në Kosovë në atë kohë, atëherë për çka kanë shërbyer komuniteti ndërkombëtar, UNMIK, EULEX-i, tash po flasim për Gjykatën Speciale. Përnjëmend, seriozisht duhet kaq shumë organe me u krijua që në Kosovë me mbizotërua ligji dhe drejtësia, kaq shumë organe? Kaq shumë organe e flasim për një Kosovë kaq të vogël…Le të jetë cilido verdikt i institucioneve të drejtësisë, ata nuk kanë me u ngjallë. Por, për neve ka me qenë e rëndësishme, për mua si vajza e Xhemail Mustafës, të paktën një natë kur na bimë të flemë dhe kur i mbyllim sytë kemi me qenë të qetë shpirtërisht sepse urdhërdhënësit e vrasjeve të tyre sot janë mbrapa, janë në burg, e jo në çdo mëng jes, secili prej neve ka me u zgjua në mëngjes vec me një pikëpyetje, kush e bëri dhe pse e bëri”, tha ajo.

Drejtësi për babain e tij, gazetarin Shefki Popova ka kërkuar djali i tij Diar Popova. Ai tha se është e pakuptimtë që asnjë rast nuk është zgjedhur nga rastet e vrasjeve të gazetarëve.

“Tani ne po flasim 18 vite pas rastit, deri tani institucionet kanë heshtur, mund të themi se institucionet në këtë aspekt kanë dështuar, duke filluar nga UNMIK-u, EULEX-i, tani edhe institucionet e Kosovës dhe tani në fund na mbetet të shpresojmë tek Gjykata Speciale. Ne 18 vite endemi pa shpresë thuajse nëpër të gjitha institucionet të cilat na e kanë mbyllur vazhdimisht derën duke thënë se hetimet vazhdojnë. 18 vite pas luftës, 18 vite pas rasteve nuk mundemi ta kuptojmë se si asnjë rast i vetëm deri tani nuk është zbuluar, nuk mundemi ta kuptojmë dhe t’i japim një përgjigje vetës se pse është dashur baballarët tanë të vriten, kujt i kanë penguar ata”, tha ai.

Se familjet kanë të drejtë të dinë se çka ka ndodhur me familjet e tyre e ka thënë edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, i cili deklaroi se si mision nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të gjithë gazetarët e vrarë.

Ambasadori Braathu tha se kanë kaluar shumë vite kur kanë ndodhur këto krime ndaj gazetarëve dhe në kohën kur janë kryer institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mandat. Ai tha se tashmë dosjet e këtyre rasteve u janë dorëzuar prokurorive të Kosovës dhe se prokurorët kanë deklaruar se po i marrin seriozisht këto raste, por që tha se disa dosje mund të kenë një ose dy faqe, ku ai tha se nuk ka pasur hetime të mirëfillta dhe të duhura në atë kohë.

“15 gazetarë dhe punëtorë medial janë të zhdukur apo janë vrarë në periudhën 1998 deri në vitin 2005, shumica e këtyre krimeve kanë ndodhur në vitin 98, 99 kryesisht, por disa prej tyre kanë ndodhur edhe pas konfliktit diku mes viteve 99 dhe 2005. Jemi këtu për të kërkuar drejtësi për gazetarët dhe punëtorët medial që janë heshtur në punën e tyre gjatë një kohe të vështirë. Por, jemi këtu edhe për familjarët, për familjet dua të hap këtë fjalë duke theksuar aspektin njerëzor, nuk po flasim për ndonjë politikë apo parim, normalisht që kemi të bëjmë me politikë dhe parimin, por po flasim për qenie njerëzore ku familjet kanë të drejtë, meritojnë të dinë se çfarë iu ka ndodhur të dashurve të tyre dhe jam plotësisht i bindur që për të gjitha këto vite familjet asnjëherë nuk i kanë harruar dhe gjithmonë duhet të solidarizohemi me këta familjarë dhe të përpiqemi t’i ndihmojmë këta familjarë të gjej në përgjigje të cilat janë duke i kërkuar”, tha ai.

Ai ka përmendur disa nga gazetarët e vrarë, ku tha se sot besohet se Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, janë heshtur për ngritjen e zërit të kritikës ndaj zhvillimeve politike dhe sociale të asaj kohe. Braathu deklaroi se nuk do të rreshtin së përmenduri të gjitha rastet e gazetarëve deri në zgjidhjen e tyre.

Ambasadori Braathu tha se përkundër sfidave në Kosovë indeksi i lirisë së shprehjes i vitit 2019 e rëndit Kosovën në vendin 75 dhe është një ngritje, sipas tij, Kosova është më së miri në rajon sa i përket lirisë së shprehjes. Po ashtu, ai përmendi se janë 18 raste të gazetarëve që janë kërcënuar gjatë këtij vit në Kosovë.

Ndërkaq, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se janë gazetarët që përmes punës së tyre synojnë të parandalojnë krimin, keqpërdorimin dhe tentojnë të parandalojnë abuzimin me pushtetin. Vrasja e gazetarëve sipas saj, u pa si zgjidhje nga ata që qëndrojnë prapa këtyre krimeve për t’i arritur qëllimet e tyre të errëta.

Ajo tha se është e vërtetë që 20 vite barra e Kosovës është rënduar edhe më shumë pasi drejtësia për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur ka mbetur peng.

“Ata që i kryen ato krime, që përmes vrasjes së kolegëve tanë menduan të heshtin të vërtetën dhe shpresojnë që sa më shumë vite të kalojnë aq më pak gjasa do të ketë të zbardhen krimet e tyre. Diçka këtu mund të ketë të vërtetë e pranojmë, çdo vit që kalon zgjat rrugën që duhet ndjekur deri tek e vërteta, mirëpo jo vetëm vrasësit, por edhe urdhërdhënësit e kolegëve tanë që vranë kolegët tanë duhet ta dinë që kanë vrarë njërin prej nesh, e që ne gazetarët nuk dimë të ndalemi, mund edhe të vonohemi jo për fajin tonë, por të ndalemi kurrë. Sikurse atëherë edhe sot lufta e secilit me gazetarët dhe kundër tyre e dinë me saktësi se do të jetë e humbur…Aspak nuk është më rëndësi se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni i përket ai, çfarë funksioni ka urdhërdhënësi, absolutisht nuk na intereson, ne duam t’i shohim ku e kanë vendin të gjithë kriminelët, këtë e duam të gjithë, këtë e duan familjarët, këtë e duam ne gazetarët”, tha ajo.

Begolli u ka kërkuar OSBE-së, të gjitha organizatave që veprojnë në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadave të huaja në Kosovë, që të kontribuojnë në themelimin e një fondi të veçantë, që do të përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuar në ndriçimin e rasteve të vrasjes dhe zhdukjes së kolegëve tanë, por edhe në një shenjë kujtimi për veprën e tyre të madhe.

Zgjidhje të rasteve të vrasjeve të gazetarëve ka kërkuar edhe kryesues i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq.

Ai tha se me rastin e zbardhjes së gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur duhet të merret edhe Gjykata Speciale.

“Duhet të themelohet një komision ndërkombëtar për mbledhjen e dëshmive dhe provave sa i përket rasteve të gazetarëve të zhdukur dhe të vrarë në Kosovë në periudhën nga 98 deri në 2005, sepse shumë deri më tani janë marrë me këto raste të gazetarëve të zhdukur dhe të vrarë, apo më mirë të them është dashur të merreshin me këto raste dhe që kohë më parë t’i zgjidhin këto raste. Mendoj këtu për UNMIK, për EULEX-in, për institucionet vendore, por në fund të fundit edhe për KFOR-in i cili ka apo do të duhej të kishte informata mbi fatin e kolegëve tanë. Duke pasur parasysh që të gjitha këto organizata dhe institucione kanë informata, kanë arkiva, mendoj që do të duhej që të gjitha këto informata të mblidheshin në një vend të vetëm…Gjykata Speciale për krime të luftës me bazë në Hagë, për shkak të rëndësisë së zbardhjes së rasteve të gazetarëve të zhdukur dhe të vrarë duhet të kryej hetime efikase dhe t’i procedojë këto raste, duke pasur parasysh që shumica e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur kanë të bëjnë me periudhën kohore për të cilën bien nën përgjegjësi e kësaj Gjykate. Ne presim të zbardhen këto raste edhe nga kjo gjykatë”, tha ai.

Ai u shpreh se prokuroritë e Beogradit dhe të Prishtinës duhet të gjejnë një bashkëpunim për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të Kosovës, e një bashkëpunim i dy prokurorive sipas tij është shumë e domosdoshme.

Konferenca për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe OSBE.