Fjalë Kyçe

Këto janë ankesat që i ka pranuar Avokati i Popullit lidhur me procesin zgjedhor

Këto janë ankesat që i ka pranuar Avokati i Popullit lidhur me procesin zgjedhor

Avokati i Popullit ka pranuar dy ankesa lidhur me procesin zgjedhor me pretendimin se ka pasur shkelje të drejtës se votës. Njëra ankesë është grupore dhe ka të bëjë me votat e diasporës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka shpallur të vlefshme, ndërsa tjetra është ankesë individuale. Avokati i Popullit Hilmi Jashari thotë se institucioni që ai drejton do t’i shqyrtojë ankesat e pranuara dhe do të dalë me qëndrim.

Ditën e 6 tetorit, kur po zhvilloheshin zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur të hapur zyrën qendrore dhe të gjitha zyret rajonale në vend, me qëllim të pranimit të ankesave të mundshme me pretendimet për shkelje të votës apo cenimin a keqpërdorimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Në një intervistë për KosovaPress, Hilmi Jashari thotë se në ditën e zgjedhjeve nuk kanë pranuar asnjë ankesë, veçse pas asaj dite, organizata jo-qeveritare “Germin” i është drejtuar këtij institucioni me ankesë lidhur me votat e diasporës, të cilat janë konsideruar të pavlefshme, meqë kanë arritur me vonesë.

Ankesa tjetër siç tregon kreu u institucionit të Avokatit të Popullit është individuale, e cila ka arritur me postë elektronike dhe individi pretendon që ka pasur shkelje të drejtës së votës.

Jashari thotë se janë në fazën e shqyrtimit dhe në ditët në vijim do të kenë qëndrim lidhur me ankesën e parashtruar.

Ndërkohë për atë të organizatës “Germin”, thotë se fillimisht është adresuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe pritet vendimi pas shqyrtimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.