Fjalë Kyçe

Kodra e Trimave vazhdon të mbetet ‘zorra qorre’ e kryeqytetit

Kodra e Trimave vazhdon të mbetet ‘zorra qorre’ e kryeqytetit

Problemet e rrugëve kryesore të kryeqytetit, si jo rrallëherë kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të Prishtinës. Një prej rrugëve që po u shkakton telashe banorëve është ajo “Vëllezërit Fazliu’’ në lagjen “Kodra e Trimave’’ të Prishtinës.

Sipas Flamur Miftarit, banor i lagjes, gjendja momentale e rrugës paraqet problem për ta si banorë të kësaj pjese, derisa si shkak i mosasfaltimit të saj, ai thotë se po ballafaqohen edhe me telashe tjera, raporton KTV.

Sipas Miftarit, problem tjetër është edhe bllokimi i vendkalimeve për këmbësorë, derisa shton se kalimi nëpër to është i vështirë për qytetarët e kësaj pjese.

Problemet me rrugën kanë vështirësuar edhe punën e bizneseve në afërsi të saj, gjë për të cilën pronarët shprehen të shqetësuar.

E përveç problemeve me rrugë, për banorët e kësaj lagjeje shqetësim shfaq edhe mungesa e investimeve në këtë pjesë. Kjo lagje është lënë në harresë nga secili pushtet komunal që ka udhëhequr me kryeqytetin.

Në lidhje me shqetësimin e banorëve të lagjes, televizioni ka kontaktuar me zyrtarë komunalë për sqarime, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.