Fjalë Kyçe

Kontrata me Z-Mobile, Gjonbalaj raporton para komisionit hetimor

Kontrata me Z-Mobile, Gjonbalaj raporton para komisionit hetimor

Para Komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala është duke raportuar ish- kryesuesit i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Ai tha se ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK- së Adnan Merovci ka nënshkruar një para-kontratë me Dardafon dhe se ata si bord nuk e kanë ditur se çka do të thotë vmo.

Sipas tij si kryesues i bordit të PTK për herë të parë informatën për kontratën e Z- Mobile e ka marrë nga Sabedin Ramaxhiku, i cili ka interpretuar se Autoriteti rregullativ i ka dhënë licencën kësaj kontrate.

“Jemi konsultuar me anëtarët e bordit. Askush nuk e ka ditur se çka është vmo, ka qenë pastaj faza e bordit dhe nuk jemi marrë me çështjen e projektit vmo, sepse nuk e dinin se çka ishte ky projekt. Kryeshefi ekzekutiv Adnan Merovci ka filluar çështjen vmo. Ai ka nënshkruar një para-kontratë me një partner amerikan. Më duket se ajo informatë ka qenë në media pa dijeninë e bordit. Të nesërmen kemi shkuar në kompani dhe kërkuam sqarim. Ai ka thënë se është para-kontratë, nuk ka ndonjë vlerë. Kemi thënë se bordi nuk ka ide. Për këtë ai ka kërkuar një grup ekspertësh, ku është bërë prezantimi për një periudhë të gjatë derisa janë shterë të gjitha pyetjet rreth çështjes vmo. Në parim kemi qenë i gjithë bordi, por pasi shpjegimet kanë qenë se duhet të aprovohet projekti, nuk ka pasur dilema dhe kushtet tjera teknike. Është çështje e menaxhmentit. Kemi qenë pro, sepse kemi qenë të bindur se ai projekt është në të mirë të telekomit”, tha ai.

Kryetari i komisionit, Visar Ymeri, ka pyetur se si ka mundur ta vlerësojë se kjo kontratë ka qenë në interes të Telekomit.

Gjonbalaj tha se menaxhmenti iu ka thënë se telekomi ka kapacitete të lira dhe do të shfrytëzohen ato me zero investime. Ai shtoi se menaxhmenti i PTK-së nuk i ka marrë parasysh sugjerimet së tyre si bord për rishikim të kontratës pas tri vjetësh. Sipas tij, në asnjë mbledhje të bordit nuk kanë ardhur kërkesa që të ndërpritet kontrata me Z-Mobile.

“Nuk ka asnjë kërkesë përveç një rasti nga kryeshefi ekzekutiv Shyqiri Haxha. Ka një kërkesë të vetme për ndërprerje të kontratës dhe bordi e ka marrë, dhe ajo kontratë nuk ka qenë aktive dhe bordi ka lejuar funksionimin e kontratës. Bordi i drejtorëve nuk merr vendim në bazë të një deklarimi dhe nuk mund ta gjeni askund që ka kërkesë për ndërprerjen e kontratës më vonë. Kam kërkuar të bëhet ndërprerja”, tha ai.