Fjalë Kyçe

KS i OKB-së miratoi rezolutën për dhunën seksuale gjatë luftës

KS i OKB-së miratoi rezolutën për dhunën seksuale gjatë luftës

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë mbi dhunën seksuale gjatë luftës.

Miratimi u bë pas heqjes së një klauzole për shëndetin riprodhues të grave në mënyrë që të shmanget vetoja e SHBA-së.

Rezoluta e paraqitur nga Gjermania u miratua me 13 vota pro dhe asnjë kundër ndërkaq në votim abstenuan Rusia dhe Kina.

Shtetet e Bashkuara thuhet se kanë dashur të përdorin veton ndaj rezolutës për shkak të një reference në tekst për të drejtat riprodhuese, e cila nga Washingtoni shihet si një inkurajim për abortin.

Në selinë e OKB-së gjatë diskutimeve për miratimin e kësaj rezolute ka qëndruar edhe një delegacion nga Kosova i udhëhequr nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Këtë e ka bërë të ditur Jahjaga përmes një postimi në Facebook.

“Sot, qëndrojmë në Debatin e Hapur për Dhunën Seksuale në Konflikt të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në emër të afërsisht 20,000 heroinave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Forca juaj e jashtëzakonshme është shtytje që gjithmonë të gjejmë mënyra të ndajmë storiet tuaja dhe të bëjmë thirrje për drejtësi, deri sa të ketë drejtësi”, ka shkruar ajo.