Fjalë Kyçe

Kundërshtohet Ligji i Pagave nga Sindikata e Policisë

Kundërshtohet Ligji i Pagave nga Sindikata e Policisë

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli ka njoftuar se SPK është e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket pezullimit të Ligjit të Pagave.

Tasholli për Klan Kosova ka thënë se kjo sindikatë nuk e ka pritur mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke njoftuar se i kanë bërë thirrje kësaj Gjykate që të mos merr vendimin dhe ta shikojë ligjin.

‘Jemi të pakënaqur. Për dy vite ne kemi punuar në këtë ligj së bashku me Qeverinë, menaxhmentin e policisë,Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ne nuk e kemi pritur mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne i kemi bërë thirrje Gjykatës që mos ta merr vendimin, ta shikoj ligjin’, ka thënë Tasholli.

Ai u shpreh se nesër Sindikata e Policisë do të mbajë Këshillin Drejtues, ku në bashkëpunim me dy sindikatat e tjera atë të shëndetësisë dhe arsimit do të vendosin për hapat e mëtutjeshme.

‘Ne nesër e kemi takimin e Këshillit dhe do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm. Do të kemi takime edhe me Sindikatën e Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit’, shtoi Tasholli.

Sindikata e Policisë prej kohësh ka kërkuar zbatimin e këtij ligji, duke kundërshtuar anulimin e tij, ndërsa gjatë ditës së sotme është njoftuar se nesër do të ketë grevë dyorëshe nga punëtorët e arsimit dhe ata shëndetësorë.