Fjalë Kyçe

Kurti: Punën për sigurimet shëndetësore e nisi që në javën e parë

Kurti: Punën për sigurimet shëndetësore e nisi që në javën e parë

Kandidati për kryeministër të vendit, Albin Kurti, premtoi se që në javën e parë të qeverisjes së tij do të fillojë të gjitha përgatitjet me shpejtësi për Sistemin Informativ Shëndetësor. Kjo si parakusht për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Këtë zotim Kurti e bëri në tryezën “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë ?!” e organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore .

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se qeveria e drejtuar prej tij do të ketë çështje primare shëndetin e të gjithë qytetarëve, pasi për ta shëndeti nuk është mall që konsumohet por është vet jeta dhe vet njeriu.

Ai shprehu indinjimin që edhe 20 vite pas çlirimit dhe rreth 12 vite pas shpalljes së pavarësisë qytetarët nuk gëzojnë sigurime shëndetësore. Sipas tij, sot në Kosovë është një situatë paradoksale kur ka sigurime për automjete por jo për njerëzit brenda këtyre automjeteve.

Kurti përmendi edhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore që sipas tij ka edhe defekte, por tashmë është edhe i dalë kohe.

Ndërsa, Agron Bytyqi nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë tha se para dy muajsh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar deklaratë politike për mbulimin universal shëndetësor.

Për të parë se sa i rëndësishëm është mbulimi universal shëndetësor, Bytyqi tha se duhet të shohim thirrjen e OKB-së që fuqimisht i rekomandon vendeve anëtare të saj që të arrihet mbulimi universal shëndetësor deri në vitin 2030.

Duke u ndalur në realitetin kosovar, Bytyqi duke cituar raportin e progresit tha se një e treta e popullatës nuk e merr shërbimin e nevojshëm shëndetësor ndërsa 18% nuk e kërkojnë shërbim fare për shkak të vështirësive financiare.

Visare Mujko Nimani nga UNFPA Kosovo kërkoi që të mos lihen anash kategoritë specifike siç janë gratë e të cilat kanë disa nevoja të veçanta, sidomos në shëndetin riprodhues.

Duke përmendur edhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara përmes së cilës kërkohet që të gjithë ata të cilët janë lënë anash të kenë qasje në shërbime shëndetësore të barabartë siç janë pleqtë e personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë tryezë foli edhe drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, i cili shpalosi punën e këtij viti dhe organizimin e përpjekjet për të përmirësuar punën e këtij fondi.

Ndërsa Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës foli për rolin e këtij komuniteti karshi sigurimeve shëndetësore.