Fjalë Kyçe

Ky është numri i rasteve të incidenteve në shkollë për një vit

Ky është numri i rasteve të incidenteve në shkollë për një vit

Shkollat në Kosovë shpesh herë bëhen vend i dhunës e ngacmimeve nga vetë nxënësit. Përgjatë vitit 2018 në Kosovë ka pasur qindra raste të problemeve brenda shkollave. Në statistikat që Gazeta Express ka siguruar nga Policia e Kosovës thuhet se janë raportuar gjithsej 477 raste të ndryshme, duke filluar nga lëndimet e lehta trupore e deri te ngacmimet seksuale

Dhjetorin e vitit të kaluar, dy nxënëse të shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet kanë vendosur që mosmarrëveshjet që kanë pasur në rrjetin social Instagram, ta zgjidhin me rrahje në oborrin e shkollës.

Madje shoqet e shokët e tyre ishin kujdesur që t’u bënin video gjatë rrahjes, të cilat i kishin shpërndarë më pas në rrjetet e tyre sociale.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i përleshjes e dhunës nëpër shkollat e Kosovës. Vendi ku fëmijët shkojnë për t’u edukuar, shpesh herë ka ngjarë të shndërrohet në vend ku ata qërojnë hesapet me njëri-tjetrin, duke mos respektuar institucionet edukativo-arsimore.

Përgjatë vitit 2018, në tërë vendin janë raportuar gjithsej 447 raste të ndryshme të shkaktuara nga nxënësit nëpër shkolla.

Sipas policisë, janë 134 raste të përleshjes së nxënësve, në mesin e tyre 112 po cilësohen si të rënda e 22 të lehta nga policia. E madje ka pasur raste kur edhe nxënësit kanë poseduar armë të zjarrit por edhe të ftohta.

Në polici janë raportuar 9 raste të nxënësve që kanë mbajtur armë zjarri dhe 24 të atyre me armë të ftohta, por ka pasur raste kur ata kanë marrë me vete në shkollë edhe gjëra tjera të rrezikshme, e numri i tyre është 32.

88 raste të vjedhjeve kanë ndodhur brenda një viti nëpër shkollat e vendit, ku 43 prej tyre cilësohen si të rënda.

Përveç telasheve me njëri-tjetrin, nxënësit nuk kanë kursyer as objektet shkollore, të cilat i kanë dëmtuar, por ka pasur raste kur edhe u kanë vënë flakën.

“Rastet kur nxënësit janë përfshirë në prishje të rendit dhe qetësisë publike janë 22, ndërkaq ato të dëmtimit të pronës janë 54. Zjarrvënie 4”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Të shpeshta janë edhe rastet kur nxënësit janë kapur me substanca narkotike në shkollë, ku gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 14 të tilla. Ndërkaq, nëpër shkollat ku vijojnë mësimet, nxënësit kosovar ka pasur raste kur edhe kanë tentuar të kryejnë vetëvrasje, si dhe kanë ngacmuar seksualisht njëri-tjetrin.

“Tentim vetëvrasje 4, grabitje 2, kanosje 16, pengim i personit zyrtar 7, ngacmim seksual 5”, theksohet në përgjigjen e PK’së për Express.

Ndërkaq për nxënësit që ushtrojnë dhunë ndaj njëri-tjetrit, policia thotë se trajtohen njëjtë si të gjitha rastet e tjera.

“Hapet rasti, njoftohet prokurori, nëse rasti është më serioz i dyshuari dërgohet në mbajtje. Ose rasti trajtohet në mënyrë të rregullt. Policia ka mbajtur edhe dhjetëra ligjërata për nxënës me tema të ndryshme, si narkotikët, dhuna, përdorimi i interneti në mënyrë të sigurt, etj”, thonë nga Zyra për Informim e PK’së.