Fjalë Kyçe

Lumezi: Tribunali për krimet serbe në Kosovë, vështirë se do të formohet

Lumezi: Tribunali për krimet serbe në Kosovë, vështirë se do të formohet

Formimi i Tribunalit Ndërkombëtar për hetimin dhe gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, 20 vjet pas përfundim të luftës, po konsiderohet si i vështirë pë Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Lumezi nuk beson në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtarë, ide kjo e kreut të Kuvendit Kadri Veseli, që do të dënojë gjenocidin serb.

Krejt kjo sipas tij, ngase ka ekzistuar një gjykatë, ajo e Hagës, që është marrë me këtë krime.
Ai thotë se do të ishte më mirë që të forcohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, por edhe institucionet e tjera.
“Mendoj që ka me qenë shumë vështirë të formohet një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e luftës, të cilat kanë ndodhur në Kosovë, sepse veç e kemi pas një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila ka funksionuar.Dhe mendoj që ndoshta kishte me qenë më mirë që të forcohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, por gjithashtu edhe institucionet tjera si Policia, Departamenti që merret me krimet e luftës, njësiti për krimet e luftës dhe që të kemi bashkëpunim ndërkombëtar ndoshta edhe me shtetet e rajonit mund të na japin edhe prova edhe deklaratat e dëshmitarëve të cilët janë në ato shtete, por edhe të na ndihmojnë në arrestimin e personave të dyshuar. Mendoj që me forcimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, mund të kemi efikasitet në zgjedhjen e këtyre rasteve të krimeve të luftës”, tha Lumezi për Ekonomia Online.
Lumezi thotë se Prokuroria e Shtetit po punon në ndjekjen dhe hetimin e atyre të cilët kanë kryer krime.

Sipas Lumezit, për të rënë në gjurmët e këtyre personave, Prokurorisë së Kosovës i duhet edhe ndihma e shteteve të tjera.
“Ne e kemi departamentin për krimet e luftës i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale. Aty i kemi 3 prokurorë. Aa çdo ditë punojnë me lëndë, nxjerrin aktvendime për fillimin e hetimeve, bëjnë kërkesa të ndryshme të Policisë së Kosovës për grumbullimin e informacioneve, të cilat janë të nevojshme për fillimin e procedurës penale dhe ngrisin akte akuzuese”, tha ai.