Fjalë Kyçe

Lumi Llap vërshohet nga mbeturinat

Lumi Llap vërshohet nga mbeturinat

Me mbeturina e barishte një metër të gjata është mbushur shtrati i lumit Llap. Ky lumë është shndërruar në një deponi mbeturinash e “impiant” të ujërave të zeza që derdhen aty. Gjithçka është “zbuluar” pas rënies së nivelit të ujit. Por deri tash askush nuk është duke u marrë me të.

Qytetarët kanë fajësuar pushtetin e Komunës së Podujevës për gjendjen në të cilën është shndërruar Llapi. Mustafë Potera ka thënë se i kishte ardhur turp po të ishte kryetar i Podujevës me rrugët e prishura të qendrës së qytetit e me lumin Llap të ndotur.

“Në prag të ardhjes së mërgimtarëve tonë për pushime në vendlindje, Llapi i pret me këtë infrastrukturë (të prishur v.j.) e me këtë gjendje të lumit. Turp më kish ardhë me qenë kryetar i shehrit”, ka thënë ai.

Mustafa ka fajësuar edhe qytetarët për hedhjen e mbeturinave në lumë, por ka thënë se më fajtorë janë pushtetarët që nuk ndërmarrin diçka për ta pastruar.

“Përveç thatësisë munden me pastrua e me ba ndonjë fushatë (për vetëdijesim v.j.) se edhe qytetarët e pandërgjegjshëm po hedhin bërllok kudo. Pushtetarët e kanë fajin e madh, pasi as kontejnerë nuk ka sa duhet. Edhe mbeturinat menaxhohen keq”, është shprehur Mustafë Potera.

Edhe qytetarët e tjerë janë shprehur të zhgënjyer me pamjen që ka marrë lumi Llap pasi ujë ka shteruar shumë.