Fjalë Kyçe

LVV-LDK paralajmërojnë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

LVV-LDK paralajmërojnë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Janë bërë 12 muaj prej se Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Tash kur ka kaluar një vit nga ky vendim, zyrtarët e dy subjekteve më të mëdha të dala nga zgjedhjet, LVV-së dhe LDK-së, po paralajmërojnë vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, në momentin që vijnë në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë të ditur se me ardhjen në pushtet do ta vendosë masën e reciprocitetit me Serbinë. Rrjedhimisht, taksa siç kanë thënë nga LVV, do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Këtë qëndrim, siç janë shprehur zyrtarët e këtij subjekti, Vetëvendosje e ka pasur edhe para vënies së tarifës.

“Ne edhe para vendosjes së taksës kemi qenë për një reciprocitet të plotë ekonomik, politik, tregtar, sepse ajo është më e drejtë. Përkundër faktit që shumë marrëveshje janë bërë mes dy palëve, Serbia deri tani nuk e ka respektuar pothuajse asnjërën, ndërsa në vazhdimësi është prononcuar kundër shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar nënkryetarja e LVV-së Fatmire Kollçaku.

Edhe LDK-ja, partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, ndan mendimin e njëjtë me LVV-në sa i përket taksës dhe reciprocitetit. Sipas zyrtarëve të këtij subjekti, tarifa e vendosur ndaj produkteve serbe duhet të zëvendësohet me reciprocitet.

“Për këtë çështje liderët e të dyja partive që do ta formojnë qeverinë do të arrijnë një unitet. Kjo taksë me Serbinë duhet të përfundojë me reciprocitet edhe në sferën ekonomike, edhe në sferën politike dhe në të gjitha sferat shoqërore. Reciprociteti është zgjidhja që do të ofrohet karshi Serbisë”, ka deklaruar kandidati për deputet nga LDK, Haxhi Avdyli, i cili sipas rezultateve të deritanishme ka siguruar ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Reciprociteti ndaj Serbisë sipas Avdylit është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet një shteti i cili është i orientuar negativisht ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka konsideruar se taksa ndaj Serbisë duhet të largohet vetëm atëherë kur përfundimisht do të ndalet agresiviteti i Serbisë në drejtim të Kosovës.

“Faji i politikës shqiptare nuk është vendosja e taksës, por vonesa e politikës sonë lakmitare për grabitje e jo për ndërtim të shtetit të së drejtës. Taksa duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Vendimi i marrë para një viti për vënien e tarifës, sipas Krasniqit, ishte i domosdoshëm.

“Ata duhet ta dinë se, as rruga e luftës që zgjodhëm dje e as taksa e re që u vendos para një viti, nuk ishin zgjedhje të dëshirueshme, ishin çështje të domosdoshme që na i pat imponuar Serbia e politikës së gjenocidit”, është shprehur Krasniqi.//ZERI