Fjalë Kyçe

“Maqedonia i shtohet listës së shteteve që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën”

“Maqedonia i shtohet listës së shteteve që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën”

Klubi i Prodhuesve në Kosovë ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Maqedonia e Veriut për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova, ndalesë që vjen nga rregullorja për importe transit, ku listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë që është për rritje apo shitje e që janë me prejardhje nga Kosova.

KPK ka reaguar duke thënë se në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi. Në reagim ka theksuar se tash Maqedonia i shtohet listës së anëtareve të CEFTA-s që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën, pas Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

“Ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës. Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, thuhet në reagim.

Klubi i Prodhuesve ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë dhe të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi nga Maqedonia e të tregohen arsyet e vërteta të ndalimit.

“Por edhe të kërkojnë që të marrëveshjet për tregti të lirë të zbatohen dhe bllokada të tilla të cilat dëmtojnë prodhuesit kosovarë të mos jenë praktikë në të ardhmen”, thuhet në fund të reagimit.