Fjalë Kyçe

Mitrovica i kthehet idesë për rrënimin e monumenteve, Ministria zotohet se s’do ta lejojë

Mitrovica i kthehet idesë për rrënimin e monumenteve, Ministria zotohet se s’do ta lejojë

Ish-Shtëpia e Armatës në Mitrovicë shërben si Muze i Qytetit dhe në të janë të vendosura më shumë se 10 mijë eksponate.

Por, Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri, dëshiron ta rrënojë atë dhe objektin e Postës së vjetër të qytetit dhe t’i zëvendësojë me ndërtime të reja, raporton KTV.

Që të dy objektet kanë vlera historike dhe janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Por, kundër janë njohës të fushës që thonë se këto objekte mund t’i shërbejnë qytetit për zhvillimin e kulturës.

Megjithatë, Komuna planifikon të ndërtojë objekt tjetër për muzeun e qytetit.

Ata kanë kërkuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë që të dihet nëse dy objektet do të jenë në mbrojtje të përhershme.

Rrënimi i këtyre objekteve ndalohet me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Në Ministri të Kulturës kanë thënë se Komuna nuk mund të veprojë kundër ligjit.

Ndërkohë, Këshilli i Trashëgimisë Kulturore, i cili ka mandat të vendosë për këto dy ndërtesa nëse duhet të mbrohen përgjithmonë si monumente kulturore, aktualisht është jofunksional në mungesë të anëtarëve të Bordit që zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.