Fjalë Kyçe

Mosmarrëveshja VV-LDK rrezikon përsëritjen e skenarëve të ngërçit

Mosmarrëveshja VV-LDK rrezikon përsëritjen e skenarëve të ngërçit

Mungesa e marrëveshjes për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike do ta përsëriste situatën e vitit 2014 dhe 2017, kur ishte shkaktuar ngërç në zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nëse nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do ta nxjerrë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Sipas interpretimit të juristëve, zgjedhja e kryeparlamentarit mund të shkojë në pafundësi, nëse partia fituese nuk e propozon kandidatin, të cilin duhet t’ia kërkojë presidenti brenda 30-ditësh.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se as presidenti nuk mund ta dërgojë për interpretim në Gjykatë një çështje të tillë. Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm nëse Kuvendi mblidhet dhe nxjerr ndonjë vendim, siç ka ndodhur gjatë kohës së VLAN-it kur u pati zgjedhur në mënyrë antikushtetuese kryetari i Kuvendit të Kosovës.

“Sipas Kushtetutës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti nuk mund të dërgojë për interpretim në Gjykatë një çështje të tillë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Kuvendi mblidhet dhe nxjerr ndonjë vendim, siç ka ndodhur gjatë kohës së VLAN-it kur u pat zgjedhur në mënyrë antikushtetuese kryetari i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hasani.

“Sot për sot nuk ekziston asnjë mundësi tjetër për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nga ndonjë organ tjetër lidhur me vonesat eventuale që mund të krijohet me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe organeve të tjera të Kuvendit”, ka shtuar më tej ai.

Derisa në vitin 2014 u kërkua interpretim prej Gjykatës Kushtetuese pas gjashtë muajsh bllokadë, edhe në vitin 2017, partia fituese kishte vonuar kandidatin në mungesë të marrëveshjes. Pas certifikimit të zgjedhjeve, Thaçi kishte nisur një seri konsultimesh me partitë parlamentare – ndërmarrje kjo që ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike. Por i ishin përgjigjur PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, ku pas tre muajsh arritën ta krijojnë shumicën e thjeshtë prej 61 votash, pasi AKR-ja e Behgjet Pacollit doli nga koalicioni parazgjedhor me LDK-në dhe iu bashkua Qeverisë Haradinaj. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Thaçi jo që ka kërkuar konsulta, por as nuk ishte deklaruar rreth rolit të tij kushtetues në fazën e pas certifikimit të zgjedhjeve.

Përderisa nuk zgjidhet kryetari dhe Kryesia e re e Kuvendit nuk do të mund të nisin procedurat për krijimin e Qeverisë. Sa u përket mandatarit dhe ekzekutivit, udhërrëfyes do të jetë vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, në lidhje me kërkesën që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i kishte bërë kësaj gjykate rreth interpretimit të dy neneve të Kushtetutës që kanë të bëjnë me mandatarin për formimin e Qeverisë. Sipas atij vendimi, presidenti i Republikës, në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.

“Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thotë neni 95.2 i Kushtetutës. Ndërsa, në rast se dështon partia/koalicioni fitues, është diskrecioni i presidentit të vendosë se kujt i takon e drejta e mandatarit. Sipas vendimit të Kushtetueses, mundet edhe partia e dytë që ka numër më të madh të ulëseve në Kuvend. “Në rast se kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidenti i Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme…”.

Sipas vendimit, nuk përjashtohet që presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër.