Fjalë Kyçe

MPB, çerdhe e punësimeve familjare

MPB, çerdhe e punësimeve familjare

Derisa pritet ndërrimi i pushteteve si rezultat i vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e tetorit, nuk kanë ndaluar punësimet familjare dhe partiake nga qeveria aktuale e cila është në përfundimit të mandatit.

Punësime të tilla kanë ndodhur së fundmi në Ministrisë e Punëve të Brendshme të drejtuar nga ministri Ekrem Mustafa i AKR-së.

Gazeta Alo ka mësuar se muajin e kaluar, gjegjësisht në prag të fushatës parazgjedhore në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë punësuar tre persona në pozita të ndryshme.

Të punësuarit janë Elsa Bruqi në pozitën asistentes administrative në QPD Prishtinë, Tushe Shala si asistente administrative në Qendrën për Pajisje në Dokumente në Pejë si dhe Arbnorë Koliqi-Gashi e punësuar si asistente administrative ne Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë.

Po ashtu Gazeta Alo ka marrë vesh se këta tre zyrtarë të punësuar kanë lidhje familjare në Ministri.

Mbi të gjitha kemi arritur të vërtetojmë lidhjet familjare të këtyre personave të punësuar. Elsa Bruqi ka të punësuar motrën e saj si shefe personeli në MPB, Vjollca Bruqi.

Tushe Shala ka të punësuar motrën e saj Bule Shala si zyrtare e personelit, ndërsa Arbnorë Koliqi-Gashi është reja e Sokol Gashit, shef i Logjistikës në MPB.

Gazeta Alo ka dërguar pyetje MPB-së për të kuptuar se në çfarë baze ligjore janë punësuar të lartcekurit, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Këta janë të punësuarit e publikuar edhe në webfaqen e kësaj ministrie:

Fenomeni i nepotizmit vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile dhe diplomatë ndërkombëtarë në Prishtinë se kanë ngufatur institucionet dhe ndërmarrjet publike më militantë partiakë dhe të afërm të familjes pa kritere punësimi.

Përfaqësues të shoqërisë civile, pohojnë se është paradoks të besohet se nepotizmi mund të parandalohet nga subjektet politike që vetë e kanë instaluar nepotizmin në pozita vendimmarrëse dhe institucionet shtetërore, shkruan Gazeta Alo.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, shprehet skeptik në luftimin e kësaj dukurie nga subjektet politike në Kosovë.

“Nuk besoj se partitë politike që kanë qenë në pushtet kohëve të fundit të kenë ndryshuar qasjen aq shpejtë. Madje në Qeverinë në largim, kemi parë raste kur partnerët e koalicionit edhe haptazi kanë thënë se po të kenë mundësi do të punësojnë të gjithë bashkëpartiakët e tyre, duke e promovuar në këtë mënyrë nepotizmin apo klientelizmin. Dhe partitë tjera në qeverisje nuk janë distancuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndaj veprimeve të tilla”, tha Mehmeti.

Edhe Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, tha se nuk mund të luftohet nepotizmi nga ata që e kanë zhvilluar këtë fenomen.

Punësimi partiaka apo në bazë të lidhjeve familjare në institucione dhe pozita udhëheqëse në ndërmarrjet shoqërore, ka shkaktuar dëme dhe rrezik, në tenderim, prokurim dhe kontrata favorizuese./Gazeta Alo/