Fjalë Kyçe

Nagavci: Qeveria ka abuzuar me shumën e ndarë për 11-vjetorin e Pavarësisë

Nagavci: Qeveria ka abuzuar me shumën e ndarë për 11-vjetorin e Pavarësisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se qeveria ka abuzuar me shumën prej 500 mijë euro që u nda për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Për shkak edhe të raportimeve nga media dhe raportimet e personave të apostrofuar u bë e qartë se shuma prej 500 mijë euro është ndarë në mënyrë të jashtëligjshme dhe ka pasur abuzim. Janë shpenzuar diku 175 mijë euro dhe është një hap i bërë përpara dhe kjo është një shenjë që duhet të jemi të zëshëm për keqpërdorimet”, ka thënë ajo në “Express Intervistën” në KTV.

Nagavci ka thënë se ende nuk kanë arritur të kenë qasje në dokumentet zyrtare për të parë se si janë shpenzuar këto para, ndërkaq ka kritikuar shpenzimet e pakontrolluara që janë bërë nga ana e Qeverisë Haradinaj.

“Edhe pse ka më shumë se dy javë që kemi paraqitur kërkesë për qasje në të dokumentet zyrtare ne ende nuk kemi qasje në të dhënat se si janë shpenzuar këto para. Janë lloj-lloj vendimesh që janë marrë nga kjo kategori e buxhetit. Vitin e kaluar kanë qenë 60 vendime të tilla. Nga 4 milionë e 800 mijë euro sa ka buxhet kategoria e shpenzimeve të paparashikuara, janë shpenzuar mbi 1 milion e 700 mijë euro”, ka deklaruar ajo.

Nagavci ka numëruar disa nga vendimet që sipas saj qeveria ka shpenzuar në mënyrë të gabuar.

“Vendimet janë marrë në mënyrë arbitrare. Edhe filmi ‘Lojë jete’, në konkurs ka dalë e 12-ta dhe qeveria e ka mbështet me 180 mijë euro. Për mbledhjen e dy qeverive janë ndarë 120 mijë euro ku është e paqartë se çka kanë mund me shpenzu kaq shumë dy qeveri për një ditë”, tha ajo.

Sipas saj është shqetësuese arsyetimi i dhënë sot gjatë seancës, se shuma të tilla janë shpenzuar edhe vitin e kaluar ndërkaq e ka quajtur të panevojshme pozitën e Koordinatorit Nacional për Rini e që këtë pozitë e mban Rexhep Hoti.

“Është shqetësuese mënyra se si u arsyetuan se shpenzime të tilla kanë ndodhur edhe vitin e kaluar Edhe pozita e koordinatorit nacional është bërë vetëm për ta punësuar personin në fjalë. Madje ata kanë bërë një projekt prej 200 mijë euro, projekti i cili nëpër shkolla ka përhapë një shqetësim të madh sepse kanë filluar një garë nacionale në kohën kur shkollat kanë qenë në grevë dhe në kompensim të orëve, dhe ata po shqetësohen me garë”, tha ajo.

Ajo tutje ka thënë se qeveria e vendit po e shfrytëzon pushtetin për qëllime partiake.

“Kjo qeveri duhet të largohet sepse përveç keqpërdorimit me pozita në borde dhe falje të borxheve ata po vazhdojnë ta shfrytëzojnë pushtetin për përfitime personale dhe partiake”, përfundoi Nagavci.