Fjalë Kyçe

OJQ-ja Këshilli për Qeverisje Përfshirëse jep sqarime për takimin ku u panë Xhelal Sveçla e Marko Gjuriq

OJQ-ja Këshilli për Qeverisje Përfshirëse jep sqarime për takimin ku u panë Xhelal Sveçla e Marko Gjuriq

Organizata joqeveritare Këshilli për Qeverisje Përfshirëse (CIG) ka dhënë sqarime rreth takimit që po zhvillohet në Tiranë, e gjatë të cilit janë shkrepur fotografi në të cilat shihet anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

OJQ-ja, selia e të cilës është në ShBA, ka publikuar fotografi nga tryeza e rrumbullakët në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të partive politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Në diskutim adresohen sfidat e rajonit përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE, si dhe roli i partive politike në zbatimin e reformave demokratike. CIG mbështet iniciativa të ngjashme në rajon për më shumë se një dekadë”, thuhet në njoftim të CIG.
Sipas njoftimit, kjo konferencë, por edhe një më herët gjatë muajit tetor, janë mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Një fotografi e publikuar nga ky takim ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, sidomos pasi që në të shihej i ulur në një tavolinë zyrtari i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, dhe anëtari i Partisë Progresive Serbe, Marko Gjuriq.

Pas shpërthimit të kritikave, vetë Sveçla dha sqarime se për çfarë bëhej fjalë.