Fjalë Kyçe

Pacientët, pa zgjidhje në mungesë të ligjit për transplantim të organeve

Pacientët, pa zgjidhje në mungesë të ligjit për transplantim të organeve

Një fëmijë rreth moshës 15-vjeçare vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të problemeve me zemër. Sipas mjekëve të Klinikës së Pediatrisë zgjidhja e vetme për të është transplantimi i zemrës. Për shkak të rastit të njohur “MEDICUS”, në Kosovë ende nuk ka një ligj që rregullon çështjen për transplantim të organeve.

Për shkak të mosfunksionimit të mirë të zemrës, një fëmijë ka disa ditë që është i shtrirë në Klinikën e Pediatrisë.

Pacienti është sjellë në klinikë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kështu thotë pediatri Ramush Bejiqi

“Ne kemi aktualisht një pacient që 1 vit të regjistruar si pacient kur ka ardhur së pari herë te ne, është në shërbimin tonë dmth në përcjellje dhe për momentin është në gjendje të rëndë për shkak të pamjaftueshmërisë për shkak të mosfunksionimit të zemrës”, tregon ai.

Zgjidhja e vetme për të sipas Bejiqit, është transplantimi i zemrës.

“Zgjidhja e vetme te ai pacient edhe te ne është transplantimi i zemrës. Por, transplantimi i zemrës në kushte të Kosovës është i pamundur”, thotë Bejiqi

Mirëpo, ai thekson se janë disa vende ku mund të bëhet transplantimi i zemrës te pacientët që kanë nevojë.

Bejiqi shton se është problem të gjesh një dhurues, por edhe atëherë janë disa specifika në mënyrë që të kryhet transplantimi.

“Dhënësi i zemrës duhet të jetë i ri, zakonisht janë ata pacientët e aksidenteve, ose sëmundje, por jo hemato-onkologjike ku pacienti ka marrë paraprakisht shumë citostatikë dhe i është dëmtua zemra. Pra dhënësit, numri i tyre është shumë i kufizuar, i vogël. Numri i pacientëve që kanë nevojë për transplantim të zemrës edhe në shtetet  ku bëhet transplantimi është i madh, pra kërkesa dhe nevoja dhe mundësia janë në disproporcitet dhe është pak problematike” shton më tej pediatri.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se nëse një shërbim mjekësor nuk kryhet në vend, atëherë kjo çështje është e rregulluar me një udhëzim administrativ

Kur bëhet fjalë për transplantime, më tepër se sa procedura Faik Hoti thekson se është problematike gjetja e donatorit për dhurimin e organit që i nevojitet pacientit.

Në raste specifike kur nevojiten kosto më të mëdha financiare mbi 30 mijë euro për trajtim jashtë vendit, sipas Hotit të drejtë për ta mbështetur një trajtim të tillë e ka vetëm Qeveria e Kosovës.

Kosova ende nuk ka një ligj që rregullon çështjen e transplantimit të organeve, ndonëse që nga viti 2013 ishte përgatitur Ligji, i cili më pas është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

Mirëpo, Misioni I Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit- EULEX, kishte kërkuar që ky ligj të tërhiqet nga procedura, pasi që në atë kohë po zhvilloheshin hetime në lidhje me rastin e njohur “Medicus”, që dyshohej për transplantim ilegal të organeve.

Kryetari i Shoqatës për të drejtat e Pacientëve, Besim Kodra e sheh si të nevojshëm një ligj të tillë për transplantim të organeve.

“Kjo është një çështje shumë delikate. Ka pas një tendencë për me ba ligjin për transplantim të organeve, por është ndërprerë nga EULEX. Por, kjo është kusht e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ne duhet me pas një ligj për transplantim të organeve. Në Kosovë do të jetë shumë e vështirë që ai pacient me marrë shërim”, thotë Kodra.

Në Kosovë ekziston vetëm Ligji për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, por që nuk rregullon transplantimin e organeve.