Fjalë Kyçe

Pacolli tregon se kur do të bëhet liberalizimi i vizave

Pacolli tregon se kur do të bëhet liberalizimi i vizave

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane, është shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti.

Kurse, për pretendimet mbi tërheqjet e njohjeve, ai iu tha deputetëve të mos mërziten sepse nuk ka asnjë vendim të tillë në mënyrë zyrtare dhe se Kosova ende ka 116 njohje.

Sigurinë për liberalizim të vizave shefit të diplomacisë kosovare ia japin deklarimet e zyrtarëve të BE-së, dhe takimet që ai thotë se ka realizuar me zyrtarë të Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, hezitim për largim të vizave, Pacolli thekson se ka nga ana e Holandës.

“Po e them këtë përgjegjësi se ky vit është vendimtar për Kosovën. Ne do të kemi viza gjatë këtij viti. Shpresoj që zgjedhjet evropiane të jenë në gjendje të forcojnë idenë e hapjes së Evropës për kosovarët dhe aq sa përcjell zhvillimet në fushatat elektorale nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh ideologjikisht. Kur e them këtë e dina se cilat parti e kanë mbështet Kosovën dhe konfigurimi do të jetë po thuajse i njëjtë”, tha ai, raporton Ksp.

Mbi pretendimet mbi tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, Pacolli tha se ato do të demantohen me anë të vizitave që do të ndodhin në Kosovë nga përfaqësues të atyre shteteve që po pretendohet që kanë tërhequr njohjen.

Ndërsa theksoi se ato kryesisht po orkestrohen nga Serbia ndaj shteteve të vogla dhe siç i cilëson të dobëta ekonomikisht.

Në lidhje me njohjet e reja ai tha se kjo është vështirësuar për shkak të ndryshimit të gjeopolitikës ndërkombëtare.

Përkundër kësaj, ai tha se gjatë mandatit të tij kanë ndodhur dy njohje, mirëpo pa përmendur emra konkretë.

“Ju do të shihni se bash për këto shtete për të cilat është folur se kanë bërë tërheqje të njohjeve do të kemi vizita të burrështetasve të presidenteve të këtyre shteteve. Shumë shpejt neve do të na vizitojnë edhe presidenti i Guinea Bisaut, presidenti i Nigerisë. Është e vërtetë që kanë ardhur disa njerëz në Beograd dhe disa përfaqësues të ministrive të ndryshëm të shteteve të ndryshme. Shtete të vogla, shumë të vogla nga Oqeania, nga Afrika, shtete mos të them të varfra ekonomikisht të dobëta dhe kemi pa që është lexuar një dokument, ai nuk është asgjë tjetër por një mashtrim që i është bërë këtyre shteteve. Kemi 116 njohje, kemi mbi 110 nota verbale për njohje. Gjashtë nota verbale nuk kanë ardhur për arsye se sipas rregullave, nuk ka nevojë nota verbale”, shtoi ministri Pacolli.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri u shpreh se diplomacia kosovare është në gjendje të mjerueshme, për arsye se sipas tij, ka mendime të ndryshime të institucioneve për politikat e jashtme dhe nuk flasim me një zë.

Për këtë çështje, ai pati një fjalë interesante, duke iu referuar aeroplanit privat që e ka ministri Pacolli, sepse sipas tij, pa të do të ishte i mangët nga përkrahja.

“Ne nuk flasim me një zë dhe si mund të presim që për çështje të rëndësisë së veçantë tjerët të jenë më dashamirës se sa ne kur ne vet po s’po flasim, po flas nga ata që i udhëheqin institucionet të dalin me qëndrime të njëjta. Unë po iu them që mund të kem përshtypje të gabuar, por shyqyr që e keni dhe një aeroplan privat dhe i bëni do punë që nuk varet nga ata që do të duhet të iu përkrahin”, tha Beqiri.

Deputeti tjetër opozitar nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi adresoi kritika ndaj raportit të MPJ-së, ku sipas tij kanë dështuar në shumë segmente.

Siç pretendon Kurteshi, ka disa dështime të ministrit Pacolli, si mungesa e njohjeve dhe mos anëtarësimi në organizatave ndërkombëtare.

“Folët për vizat por vizat janë dështim sepse këtë që e keni premtuar sot, e keni premtuar dhe para 2 vitesh, por që nuk janë realizuar dhe është dështim. Është dështim, dështimi që nuk jemi bërë pjesë e Interpolit, dështim duhet të i quajmë tërheqjet e njohjeve, po ashtu dështim është mungesa e njohjeve të reja”, u shpreh Kurteshi.

Ndërsa, kryetarja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra u shpreh se janë shqetësuese pretendimet për tërheqjen e njohjeve, ndërsa kërkoi nga ministri Pacolli që të jenë më të vëmendshëm në këtë çështje.

Shefi i diplomacisë kosovare foli dhe për zbatimin e MSA-së, ku tha se ajo dallon nga vendet e rajonit për shkak të mos njohjes nga 5 vendet e BE-së dhe se janë duke u përgatitur që të jenë të gatshëm për partneritet me BE-në.

Për demarkacionin me Malin e Zi, Pacolli tha se delemitimi i kufirit me ta ende nuk ka ndodhur dhe se si do të jetë fundi ai nuk e di.

Shefi i diplomacisë, gjithashtu i njoftoi deputetët për angazhimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe hapjen e ambasadave të reja në shtete të ndryshme, ku tha se shumë shpejt pritet të hapet në disa shtete.

Në lidhje me ardhjen e qytetarëve kosovarë nga Siria, ai tha se është veprim i duhur, pasi siç konsideron ai, Kosova duhet të përkujdeset për të gjithë qytetarët e saj.