Fjalë Kyçe

Parku Gërmia, “parajsa’ e Prishtinës

Parku Gërmia, “parajsa’ e Prishtinës

Parku Nacional i Gërmisë në kryeqytet vazhdon të jetë vend i preferuar i shumë qytetarëve për të kaluar një ditë fundjave.

Parku ka një sipërfaqe prej 1126 hektar dhe është një zonë e mbrojtur e natyrës, i shpallur nga viti 1987, që thuhet se e vizitojnë rreth 1 milionë vizitor në vit.

Mbi 75 % e sipërfaqes së Parkut të Gërmisë është e mbuluar me pyje mjaftë të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut. Një pjesë të rëndësishme të sipërfaqes së mbrojtur e përfshinë edhe zona për rekreacion dhe pushim, në të cilën gjenden livadhe, si dhe infrastruktura e ndërtuar.

Përveç pishinës e cila ka kushte mjaft të mira, aty janë edhe fusha e futbollit dhe basketbollit. Nuk mungon as këndi i lodrave dhe restorantet e ndryshëm, por gjithashtu është e vendosur edhe një pllakë informues që tregon për hapësirën dhe krejt çka gjendet në këtë park.

Sot ishin qindra të tillë që vizituan këtë vend, ku veçohet për kushtet klimatike, natyrën, por edhe pishinën e veçantë që ka. Kurse, për pamjen mahnitëse që ka gjatë verës, qytetarët flasin edhe për bukurin që ka kjo pjesë gjatë stinës së dimrit.

Ata janë të kënaqur me gjithë atë që shohin në Gërmi, por thonë se ende ka nevojë për investime në infrastrukturë, pasi aty disa stazë për ecje janë të pa asfaltuara, tualetet e dëmtuara totalisht, siç është dëmtuar edhe bari në livadhe ku vizitorët qëndrojnë.

Në këtë park ka dal edhe 75 vjeçari nga Prishtina, Myrteza Osmani. Ai ka improvizuar lojën tenis në murë.

“Mirë kish qen me bo murin, është ai muri special, edhe kisha preferu më shumë terrene për rekreacion në Gërmi”, tha ai.

Ai thotë se të rinjtë duhet të ecin më shumë, e së paku 5 kilometra në ditë.

Qytetari tjetër nga Prishtina, Fatmir Ajeti thotë se më herët ka vizituar Gërminë më shpesh dhe kryesisht për ecje.

Sipas tij, kushtet janë të mira, por mundet edhe më mirë.

“ Ndoshta ky bari më i mirë me qenë, do fusha, për fëmijët pak më mirë….. Të rinjve iu kisha bërë thirrje ta vizitojnë Gërminë sa më shumë dhe moshatarëve të mijë. Më mirë me dal këtu në Gërmi se sa nëpër kafiqa ku pinë duhan e këso sene që po përdorin tash dhe kur të vinë në vitet e mija besoj që do të ndihen më mirë“, ka thënë ai.

Kurse, trajner i basketbollit, Blerim Krasniqit thotë se pishina e Gërmisë, sivjet i duket më mirë se vitet e kaluara, pasi ujë është i pastër dhe ka kushte optimale për t’u freskuar. Ndërsa, sa i përket sigurisë në Prishtinë, thotë se janë shpëtimtarët që vëzhgojnë tërë kohen por edhe vizitorët e kanë kuptuar që ata të cilët nuk e zotojnë notin mirë duhet të jenë të kujdesshëm.

“Kur kam kohë të lirë e vizitojë pishinën e Gërmisë, ku na ofron kushte të mira për relaksim dhe freskim në këto ditët verore, në këtë vapë të madhe që po mbretëron në Kosovë e konkretisht në Prishtinë. Apeloj edhe te qytetarët tjerë, po mendoj jo vetëm bashkëqytetarët e Prishtinës por edhe qytetarët e mbarë Kosovës me vizitu këtë pishinë pasi në krahasim me pishinat tjera kjo ka kushte më optimale për shkak të hapësirës dhe madhësisë që ka, njëkohësisht edhe klimës që i ofron kjo parahyrja në Gërmi”, tha ai.

Në këtë pishinë përveç pastërtisë dhe sigurisë vërehet edhe ekipi mjekësor.

Masivi malor i Gërmisë është mjaftë i pasur si në pikëpamje floristike, vegjetative dhe faunistike. Nga hulumtimet e deritashme janë të evidencuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje dhe 83 lloje kërpudhash duke mos llogaritur taksonet e barërave të këqija, atyre ruderale dhe bimëve tjera të ulta. Prej tyre 5 lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore./kp